“Maqedonia e Veriut mund të jetë një nga aleatët tonë bazë në rajon, në mënyrë që Greqia të kontribuojë dhe ta luajë rolin e saj në rajon”.
Këtë e theksoi ish-kryeministri grek Jorgos Papandreu, në një intervistë për televizionin shtetëror grek “ERT”.
“Besoj se Maqedonia e Veriut do të jetë një nga aleatët tanë kryesorë në rajon. Do të dëshirojë të mbështetet në Greqinë, në aspektin e kursit të saj, nëse është evropiane, ekonomike apo mbrojtëse. Dhe kjo do të kontribuojë që Greqia të luajë rolin e saj natyror, duke tërhequr Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe sigurisht duke kontribuar në bashkëpunimin më të gjerë ballkanik, sepse Ballkani mbetet Ballkan për shumë tema dhe ka ende çështje serioze që nuk zgjidhen”, tha ish-kryeministri grek .
Në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, Jorgos Papandreu tha se qeveria greke, nga njëra anë, mori një vendim të guximshëm, por nga ana tjetër e kritikoi atë, sepse nuk veproi “për të arritur konsensus më të gjerë që është shumë i rëndësishëm për çdo marrëveshje”.
Ai tha se në këtë rast secila parti do të mbante përgjegjësi, veçanërisht “Demokracia e Re”, dhe shtoi se do të ndihmonte në negociatat që u zhvilluan, por theksoi se tani është e rëndësishme që fokusi të jetë në anët pozitive të marrëveshjes./Telegrafi/