Telegrafi

Papandreou: Qëllimi i Greqisë nuk është të nënçmojë identitetin dhe kulturën tuaj

Qëllimi i Athinës nuk është të nënçmojë identitetin dhe kulturën tuaj, por të gjindet zgjidhje për një emër që do të ishte e ndryshme nga referenca Maqedoni. Emri i kompromisit duhet të jetë diçka që do të na mundësojë të jetojmë së bashku, tha ish-kryeministri grek, Jorgos Papandreou në një intervistë në emsionin “Faktor Magazin” në Tv 24.

I pyetur se çka nënkupton kompromis i pranueshëm për emrin, Papandreou tha se nuk dëshiron të ndërhyjë në detaje të negociatave, por derisa ai ka qenë kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, por edhe në kohën kur ka qenë në opozitë, ka përkrahur gjetjen e kompromisit.

Për mundësinë e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO nën referncën IRJM, Papandreou vlerëson se mbajtja e referencës së përkohshme vetëm e zgjat problemin.

“Shpresoj se ka disponim pozitiv nga ana greke. Nuk jam pjesë e Qeverisë greke dhe nuk flas në emër të saj, por besoj se Qeveria është e gatshme për gjetjen e zgjidhjes. Sa më gjatë që shmanget gjetja e zgjidhjes për emrin, aq më rëndë bëhet në të ardhmen. Mendoj se Qeveria e tanishme greke nuk do të pranojë hyrjen në NATO me emrin e përkohshëm IRJM”, tha Papandreou.

Papandreou rikujton se referenca e përkohshme duhej të qëndrojë në përdorim vetëm për një periudhë të shkurtër dhe ka nevojë për zgjidhje sa më të shpejtë të këtij kontesti.

“Ju nuk e dëshironi atë emër, as ne nuk themi se e duam atë emër. Përse të mos gjejmë diçka që është e pranueshme për të dy palët? Mendoj se ajo zgjidhje do të përdoret në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nuk do ta ndryshojë identitetin tuaj. Është e rëndësishme të zgjidhet ky kontest para se të mendohet për hyrje në NATO dhe BE”, thotë ish-kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreou./Telegrafi/