Shefja e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, në vazhdën e takimeve të saj me partnerët vendës dhe ndërkombëtarë në Kosovë, sot është takuar me Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Gjatë takimit, Papadopoulou nënvizoi se bashkëpunimi i EULEX-it me Ministrinë e Drejtësisë do të vazhdojë, me theks synimin e ndërsjellë për zhvillimin dhe implementimin e sundimit të ligjit.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë qenësore të sundimit të ligjit në arritjen e qëllimit të përbashkët të një shoqërie demokratike, multi-etnike të bazuar në parime dhe në përputhje me aspiratat evropiane të Kosovës.
Papadopoulou, po ashtu e ka falënderuar ministren Hoxha për rezultatet e shkëlqyera të arritura në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in në detyrën e saj si Ministre, duke shpresuar se kjo punë e mirë do të vazhdojë.
Të dyja, Shefja e EULEX-it dhe Ministrja Hoxha janë pajtuar që të bashkërendojnë më tutje aktivitetet e përbashkëta në mes të institucioneve të drejtësisë vendëse dhe EULEX-it, me qëllim të avancimit të sundimit të ligjit në Kosovë. /Telegrafi/