Tv Telma citon Dimitrios Papadimoulis, eurodeputet grek dhe shef i grupit parlamentar të Syriza në Greqi, të flasë për Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai i ka dërguar një letër shefes së politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Federica Mogherini, ku i qaset situatës në Ballkan.
Sipas tij, ”Maqedonia është e minuar nga paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike, me grindje politike dhe ndëretnike që përkeqësohet”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Papadimoulis thotë se në këtë vend shpeshtohet klima e rivalitetit politik, ka pasiguri në çështjen e formimit të qeverisë, tentohet heshtja e mediave dhe se pavarësia e gjyqësorit është vënë në pikëpyetje, ndërkaq ka eskalim të dhunës dhe përplasjeve.
Eurodeputeti grek sulmon Shqipërinë dhe Kosovën, për deklaratat e Ramës dhe politikanëve në Kosovë, duke thënë se e rrezikojnë stabilitetin dhe përparimin e shteteve në Ballkanin Perëndimor, si edhe rrugën e tyre evropiane.
Mirëpo, Papadimoulis tenton që ta nxjerrë Greqinë si shtyllë stabiliteti në rajon, i paqes dhe sigurisë dhe se vendi i tij do të kontribuojë në forcimin e diskutimit demokratik dhe sundimit të ligjit./Telegrafi/