Eurodeputeti grek nga Syriza Dimitrios Papadimoulis, pas takimit me zv.ministrin për Punë të Jashtme i Maqedonisë Andrej Zhernovski, në një deklaratë për AIM u shpreh i bindur se Marrëveshja e Prespës do të miratohet në të dy vendet.
“Diskutimi jonë është zhvilluar rreth ngjarjeve në lidhje me marrëdhëniet e të dy vendeve dhe situatën e përgjithshme në Ballkan. Pika e përbashkët është nevoja, por edhe optimizmi, nëse jo edhe siguria, se Marrëveshja e Prespës do të kompletohet së pari në IRJM, më pas edhe në Greqi pasi të dy vendet e kanë vullnetin e duhur politik”, tha Papadimoulis, përcjell Telegrafi maqedoni.
Ai shtoi se Marrëveshja e Prespës do të jetë në të mirë të të gjithë Evropës.
“Bashkëpunimi në nivele të ndryshme mes dy vendeve në ekonomi, infrastrukturë, ndërmarrësi, turizëm, kulturë, do të sjellin rezultatet e dëshiruara dhe do të jenë shembull për bashkëpunim dhe pajtim për gjithë rajonin dhe Evropën”, tha Papadimoulis.
Për të është e rëndësishme që BE dëshiron ta përshpejtojë rrugën evropiane për vendet e rajonit./Telegrafi/