Papa Françesku kryesoi meshën e të Dielës së Palmave në sheshin e Shën Pjetrit të dielën, duke nisur kështu ngjarjet e shumta deri në festën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u lirua nga spitali.
Sipas mediave, 86-vjeçari ishte shtrirë në spital të mërkurën, 29 mars, shkaku i vështirësive në frymëmarrje.
Hospitalizimi i tij kishte nxitur shqetësime se ai mund të mos rikuperohet në kohë për t’i ndjekur ngjarjet e javës më të ngarkuar në agjendën vjetore të tij.
Përderisa Papa ishte larguar i buzëqeshur nga spitali Gemelli në Romë të shtunën pas një qëndrimi prej tre netësh, ai u tall me turmën e njerëzve të cilët e pyesnin se si ishte duke thënë “Jam ende gjallë!”
Kreu i 1.3 miliardë katolikëve në botë është përballur me disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit, përfshirë këtu problemet e gjurit që e kanë detyruar atë të përdorë një karrige me rrota dhe shkop për ecje.
Këto probleme shëndetësore kanë ngjallur shqetësime se ai mund të zgjedhë të pensionohet.
Françesku shënoi 10-vjetorin si kreu i Kishës Katolike mbarëbotërore në fillim të këtij muaji.
Ai ka nxitur reforma të mëdha në qeverisje dhe ka kërkuar të krijojë një Kishë më të hapur, megjithëse është përballur me kundërshtimin e brendshëm, veçanërisht nga konservatorët.
Ai ka thënë në mënyrë të përsëritur se do të konsideronte dorëheqjen nëse përkeqësohet gjendja e tij shëndetësore. Por, muajin e kaluar ai tha se, për momentin, nuk planifikon të japë dorëheqje. /rel/