Site icon Telegrafi

Papa jep mesazhin për Vitin e Ri: Dhuna ndaj grave fyen Zotin

Në mesazhin e këtij 1 janari, Papa Francesku bëri thirrje që t’i jepet fund dhunës ndaj grave, duke thënë se një gjë e tillë është “fyerje” ndaj Zotit. Në meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kreu i kishës katolike iu drejtua një turme të kufizuar njerëzish me një mesazh shumë të veçantë për nënat dhe respektin ndaj tyre.

“Viti i ri fillon në shenjën e Nënës. Vështrimi i nënës është rruga për të rilindur dhe rritur. Nënat, gratë e shikojnë botën jo për ta shfrytëzuar, por për të dhënë jetën: duke parë me zemër, arrijnë ta mbajnë atë. Nënat dinë të kapërcejnë pengesat dhe konfliktet, dinë të rrënjosin paqen. Në këtë mënyrë arrijnë t’i shndërrojnë fatkeqësitë në mundësi për rilindje dhe mundësi rritjeje. Sa shumë dhunë është e drejtuar kundër grave. Mjaft. Ta lëndosh një grua është ta fyesh Zotin”, tha Papa Françesku.

Që prej fillimit të pandemisë, Papa Françesku ka folur disa herë kundër dhunës ndaj grave, dukuri që u rrit në mbarë botën gjatë mbylljeve për shkak të COVID-19.

Më 1 janar, Kisha Katolike feston Ditën Botërore të Paqes. /KP/

Exit mobile version