Prodhuesi italian i veturave luksoze sportive Lamborghini, i ka dhuruar Papa Françeskut modelin e ri Huracane me shirit të artë, i cili do të dal në ankand, kurse shuma e mbledhur nga shitja e veturës do të dedikohet për qëllime bamirëse.
Paratë kryesisht do të dedikohen për rindërtimin e shtëpive, kishave dhe objekteve tjera që janë shkatërruar në Nineves të Irakut nga organizata terroriste “Shteti Islamik”, transmeton Telegrafi.
Vatikani njoftoi se qëllimi është që të krishterët që ishin larguar nga lufta të kthehen tek rrënjët e tyre. Por, një pjesë e parave do të dedikohen për misione tjera bamirëse siç janë ndihmat humanitare në Afrikë.
Zyrtarët e Lamborghini i kanë dhuruar sot Papës veturën luksoze. Ndërkaq versioni i mëhershëm i modelit Huracane që për herë të parë ishte paraqitur në rrugë në vitin 2014, shitej për 183 mijë euro. Por ,versioni special i prodhuar për misionet bamirëse të Papës sigurisht se do ta ketë çmimin edhe më të majmë.
Papa Françesku në vendlindjen e tij në Buenos Aires kishte udhëtuar me transportin publik, dhe vazhdimisht kritikon ata që shpenzojnë shuma marramendëse në modele të reja të veturave dhe telefonave mobil.
Kurse që kur është bërë Papë, në Vatikan është vozitur me Ford Focus, kurse në udhëtime jashtë vendit vazhdimisht refuzon veturat luksoze dhe të blinduara, dhe vozitet me Fiat apo Kia. /Telegrafi/