Site icon Telegrafi

Papa Françesku: Seksi është një nga gjërat më të bukura që ka dhuruar Zoti

Papa Françesku ka lavdëruar virtytet e seksit në një dokumentar të publikuar, duke e përshkruar atë si “një nga gjërat e bukura që Zoti i ka dhënë njeriut”.

Papa 86-vjeçar kështu komentoi për produksionin e Disney+, “The Pope Answers”, duke iu referuar takimit me dhjetë të rinj gjatë vitit të kaluar në Romë.

Françesku u pyet për një sërë temash, duke përfshirë të drejtat LGBT, abortin, industrinë e pornografisë, seksin, besimin dhe abuzimin seksual brenda Kishës Katolike.

“Seksi është një nga gjërat e bukura që Zoti i ka dhënë njeriut”, tha ai në dokumentar, raporton nypost.

“Të shprehesh seksualisht është një pasuri. Pra, çdo gjë që ul shprehjen e vërtetë seksuale, ju pakëson dhe ju varfëron këtë pasuri”, tha ai, duke iu referuar masturbimit.

Ati i Shenjtë gjithashtu iu përgjigj me po pyetjes nëse e dinte se çfarë është një “person jo-binar”. Ai përsëriti se personat LGBT duhet të mirëpriten nga Kisha Katolike.

“Të gjithë njerëzit janë fëmijët e Perëndisë, të gjithë njerëzit. Zoti nuk refuzon askënd, Zoti është baba. Dhe nuk kam të drejtë të dëboj askënd nga Kisha”, tha ai.

Për abortin, Françesku tha se priftërinjtë duhet të jenë “të mëshirshëm” ndaj grave që kanë ndërprerë shtatzëninë, por tha se kjo praktikë mbetet e papranueshme.

Komentet e Papës u botuan nga L’Osservatore Romano, gazeta zyrtare e Vatikanit, e cila e përshkroi bisedën me të rinjtë si një “dialog të hapur dhe të sinqertë”. /Telegrafi/

Exit mobile version