Papa Françesku udhëhoqi sonte meshën e Krishtlindjeve në Vatikan dhe si vitet e kaluara, ai dërgoi mesazhe që lidhen me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Bazilika e Vatikanit edhe këtë vit para meshës ka qenë e mbushur plot me njerëz dhe sipas “La Stampa” kanë marrë pjesë shtatë mijë besimtarë dhe tre mijë të tjerë, sipas burimeve të Selisë së Shenjtë, kanë ndjekur ngjarjen nga sheshi i Shën Pjetrit.
Duke qenë se i pari i katolikëve është në gjendje pak të keqe shëndetësore, ai arriti në këtë meshë me karrocë. Fjalimi i tij iu referua botës moderne dhe zakoneve që “gllabërojnë” gëzimin dhe qëllimin e Krishtlindjeve.
“Çfarë thotë kjo natë ende për jetën tonë? Dy mijë vjet pas lindjes së Jezusit, pas shumë Krishtlindjeve të festuara me dekorime dhe dhurata? Ne dimë kaq shumë gjëra për Krishtlindjet, por po e harrojmë kuptimin e saj”, tha Papa.
Gjatë fjalimit, Papa theksoi se të dobëtit janë viktima të qëndresës njerëzore, transmeton Telegrafi.
“Të dobëtit janë viktima të grykësisë gjersa njerëzit e uritur për pushtet gllabërojnë vëllezërit dhe motrat e tyre. Edhe fëmijët sot po gllabërohen nga luftërat. Krishtlindjet nuk festohen pa të varfrit. Njerëzimi sot po ngopet me para, pushtet dhe kënaqësi. Nuk po lë asnjë vend për të varfrit. Zoti nuk është një baba që gllabëron fëmijët e tij, por ai që na ushqen me butësi. Ai vjen të na prekë zemrat dhe të na thotë se është e vetmja forcë që ndryshon rrjedhën e historisë. Ai nuk rri i distancuar dhe i fuqishëm, por bëhet i afërt dhe i përulur”, tha Papa.
Në mesazhin drejtuar besimtarëve, Papa tha se sonte Jezusi u afrohet të gjithëve sepse kujdeset për njerëzit.
“Ai thotë, ‘Nëse po ju mundojnë ngjarjet, nëse ndjeheni fajtor, nëse je i uritur për drejtësi, unë Zoti jam me ty. Unë e di se çfarë po përjeton dhe i di dhimbjet e historinë tënde. Unë jam këtu për të thënë se do të jem gjithmonë pranë teje. Mos lejoni që frika dhe dekurajimi t’ju rrëmbej. Nuk ka asnjë të keqe, asnjë mëkat nga i cili Jezusi nuk dëshiron ose nuk mund t’ju shpëtojë”, theksoi Papa.
Ndryshe, Kisha Katolike në Kosovë, përkatësisht Dioqeza Prizren-Prishtinë ka organizuar pritjen solemne me rastin e Festës së Krishtlindjes të vitit 2022.
Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji u ka uruar të gjithë të pranishmëve festën e Krishtlindjes.
“Ju uroj që vërtetë të keni paqen dhe gëzimin në zemrat tuaja, në familjet tuaja e mbi të gjitha në Kosovë. Ne shpresojmë që nuk do të vijë konflikti përpara se të realizohet paqja, sepse paqja është e domosdoshme, nuk ka alternativë. Dhe ne të gjithë duhet të jemi punëtorë të vyer, të ruajtjes së paqes në vend dhe të arritjes së pajtimit me të gjithë që jetojnë me ne”, tha Gjergj. /Telegrafi/