Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha ka reaguar pas takimit të djeshëm në Shkup ku u promovua ideja e iniciativës ballkanike “Open Ballkan” në të cilën mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Panxha përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk mund të flitet për krijimin e një zonë ekonomike me autoritetet që udhëheqin në Serbi, transmeton Telegrafi.
“Zoti Rama nuk është vështirë të kuptoni pse pozicioni i Kosovës, Malit të Zi dhe B&H nuk është në favor të kësaj iniciative”, thotë mes tjerash ai.
Për më shumë postimi i plotë:
“Open Balkan with closed minded
Sa është reale të krijohet një zonë ekonomike në Ballkan ku qendra e gravitetit është Serbia? Në këtë rast pozicionimi strategjik i Shqipërisë është komplet i gabuar! Nuk mund të flasim për krijimin e një zone ekonomike me autoritetet që udhëheqin në Serbi.
Zoti Rama nuk është vështirë të kuptoni pse pozicioni i Kosovës, Malit të Zi dhe B&H nuk është në favor të kësaj iniciative.
Serbia mohon ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Serbia punon në zhbërjen e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.
Serbia injoron identitetin e Malit të Zi.
Do të thotë këto shtete kanë probleme ekzistenciale me Serbinë. Kur shteti në vazhdimësi ndihet i kërcënuar, atëherë autoritetet nuk mund të flasin për marrëdhënie të avancuara ekonomike.
Nuk mund të flasim për lëvizje të lirë të njerëzve kur dokumentet e udhëtimit nuk njihen.
Nuk mund të flasim për lëvizje të lirë të mallit kur certifikate e origjinës së mallit nuk njihet.
Nuk mund të ketë lëvizje të lirë të kapitalit kur sistemi i transfereve të kapitalit nuk njihet.
Këto janë tri shtyllat kryesore në të cilat është themeluar BE-ja, por për fat të keq Serbia nuk dëshiron ti implementon këto shtylla, sidomos në relacion me Kosovën.
Keni filluar procesin e integrim në premisa te gabuara. Nuk mund te projektojmë të ardhmen kur nuk e kemi sqaruar te kaluarën, e assesi kur edhe e tashmja është e tensionuar.
Sikur të kishit nisë themelimin e Open Balkan me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe B&H, atëherë shqiptarët do të ishin qendra e gravitetit në këtë strukturë! Serbia do të ftohej vetëm atëherë kur të kultivon marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit.
Dhe në fund pyetja logjike do të ishte: vështirë të kuptohet se si Serbia po shpenzon kaq shumë kohë dhe resurse në destabilizimin e vendeve fqinjë e nuk po fokusohet në integrim dhe zhvillim rajonal.
Gabim, shumë gabim e keni”, thotë Panxha në reagimin e tij.
Ndryshe, ditën e enjte është formalizuar marrëveshja për Mini-Shengenin, e ndryshuar tashmë në Open Balkan, ku pjesëmarrës ishin kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë Forum Ekonomik nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nga zyra e kryeministrit kanë deklaruar se qëndrimet e tyre për Mini- Shengen tashmë janë të njohura.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje. /Telegrafi/