Telegrafi

Panxha: Pasiguria politike, armiku më i madh në ekonomi

Kriza politike si pasojë e vonesës së formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ka krijuar një pasiguri për bizneset në Kosovë dhe rënie të investimeve të huaja direkte.

Dështimi në formimin e institucioneve, për drejtorin e ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka impakt negativ në ekonomi dhe po shkakton probleme të shumta në sektorin privat që do të reflekton në fund të vitit, në normën e rritjes ekonomike.

Panxha në një intervistë për KosovaPress, thotë se ka projekte të shumta që kishin nisur së zbatuari, por në këtë situatë politike nuk mund të vazhdojnë për shkak të mungesës së institucioneve qeveritare.Ai shtoi se ‘ngërçi’ politik ka impakt negativ edhe në perceptimin e bizneseve për investime të reja, sepse siç tha ai, iu nevojitet një siguri institucionale dhe politike.

Për drejtorin e Klubit të Prodhuesve, edhe mosmiratimi i buxhetit 2020, ndikon mjaft në uljen e aktiviteteve ekonomike dhe mungesa e investimeve kapitale do të reflektoi në rritjen ekonomike.

Si komunitet i bizneseve, Panaxha thotë se për ta mbetet e pa qartë shtyrja e marrëveshjes për formimin e qeverisë së re.

Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar kryeministri Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje, ndërsa më 6 tetor ishin mbajtur zgjedhjet parlamentare, por që nga ajo kohë, dy partitë më të mëdha në vend janë në përpjekje për arritjen e një marrëveshje bashkëqeverisëse e që nuk ka rezultuar ende me ndonjë rezultat për formimin e Qeverisë./kp/