Roma ditë më parë ka shkarkuar nga puna trajnerin Eusebio Di Francesco.
Drejtimin e gjigantit italian e ka marrë trajneri Claudio Ranieri, që për të është një rikthim në kryeqytetin italian.
Por mediat italiane në listën e ngushtë për të marrë drejtimin e Romës e kishin futur edhe trajnerin aktual të Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci.
Ka qenë vetë ish-futbollisti i famshëm italian që ka mohuar kontaktet me klubin e Romës.
“Roma nuk më ka kontaktuar kurrë. Kam dëgjuar zëra, por jo kontakt nga klubi. Ranieri e njeh shumë mirë mjedisin, ai është një romak”, u shpreh Panucci për Corriere dello Sport.
“Ranieri mund të jetë një mjek i mirë për Romën, ka një përvojë të madhe. Nuk do të jetë e lehtë, Roma ka cilësinë e duhur për të marr vendin e katërt, por ka nevojë për punë”, tha Panucci.
Tutje trajneri aktual i Kombëtares, ka thënë se është shumë i lumtur aktualisht në rolin e tij te Shqipëria.
“Jam shumë i lumtur këtu, deri në nëntor kam një kontratë me një federatë shumë serioze, më pas nuk i dihet”.
“Është një punë që më pëlqen shumë, tani jam fokusuar vetëm në aventurën e Kualifikueseve të Evropianit, pjesa tjetër nuk më intereson”, ka deklaruar Panucci.
Shqipëria në muajin mars do të luajë dy ndeshjet e para kualifikuese për EURO 2020, ndaj Turqisë dhe Andorrës. /Telegrafi/