Site icon Telegrafi

Pantina: Vettingu, jo nga qeveria, të bëhet me konsensus brenda partive politike

Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-PSD, Shqipe Pantina, ka treguar planin e koalicionit se si të bëhet lufta ndaj korrupsionit.

Pantina, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se korrupsioni duhet të luftohet në dy mënyra.

“Mënyra e parë është parandalimi. Këtu ka punë qeveri duke krijuar mekanizmat që parandalojnë korrupsionin sidomos në procesin e punësimit. Rekrutimi duhet të jetë digjital. Është lajmi i mirë që Prishtina ka transparencë të lartë në Europë”.

Ajo ka thënë se hapi i dytë në luftimin e korrupsionit kur ai është shfaqur është veprimi i institucioneve të drejtësisë, përcjell Telegrafi.

“Ne patëm filluar në Kuvend një iniciativë për një proces të vettingut në drejtësi e polici…jam kategorisht kundër që vettingun ta udhëheq qeveria apo partitë që janë në qeveri. Vettingu duhet të behet me konsensus ndërpartiak por edhe me mbështetjen e organizmave ndërkombëtarë”.

Pantina ka thënë se në luftën kundër korrupsionit është e nevojshëm edhe ndryshimi i mënyrës së përzgjedhjet së anëtarëve të bordeve të ndryshme.

“Pavarësisht se ata kanë legjitimitet, të gjitha dallaveret bëhen para se emrat të vijnë në Kuvend”, tha ndër të tjera Shqipe Pantina./Telegrafi/

Exit mobile version