Mikrobiologu Nikolla Panovski, thotë se me masat e propozuara sot nga Komisioni për Sëmundje Infektive, gjithçka është lënë në ndërgjegje të qytetarëve, ndërsa në aspektin mjekësor, tha se nevojiten masa më të ashpra.
“Këto masa nuk kanë ndikim, nevojiten masa më të ashpra. Nga aspekti shëndetësor tani gjithçka është lënë në ndërgjegje të qytetarëve, dhe vetëm prej tyre varet se çfarë do të ndodh për një muaj. Me masa të këtilla, ekziston mundësia që virusi të përhapet më shpejt. Për këtë arsye edhe masa e karantinës tani ka rol, gjegjësisht para se të vijnë vaksinat. Karantina nuk kishte rol në prill, ndërsa tani mund të kenë”, tha Panovski për “Makfaks”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Komisioni për Sëmundje Infektive propozoi sot që nga kjo e premte deri më 21 janar të mbyllen objektet hotelierike në orën 18 në vend të orës 21, dhe restorantet e hotelit në orën 21.
Komisioni bën thirrje që të mos ketë grupime në shtëpi, të mos ketë festime në punë dhe të ndalohen grupimet në sheshe për festimet e Vitit të Ri.
Qeveria pritet që nesër të shqyrtojë masat e propozuara të Komisionit për Sëmundjet Infektive./Telegrafi/