Panairi i librit “Prishtina 2019”, këtë vit ka sjell rreth 100 botues me mbi 1500 tituj të rinj. Botuesit e librave shprehën shqetësimin për rënien e numrit të lexuesve, ndërsa këta të fundit, u ankuan për çmimet e larta të librave.
Është hapur panairi i 21-të i librit “Prishtina 2019” që do të mbahet deri më 9 qershor.
Shqetësuese për shoqatën e botuesve të Kosovës, është rënia e lexueshmërisë në bibliotekat publike të Kosovës.
“Kemi parasysh shifrën prej 120 mijë lexuesish më pak që tregon raporti i ASK-së. Kjo tregon se botuesi vazhdon të ecë përpara, lexuesi është i pranishëm por në fakt nuk e përcjell trendin”, tha për RTV Dukagjinin Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve.
Për rënien e lexueshmërisë shqetësime ngriti edhe autori Fatos Kongoli.
“Leximi është në rënie dhe kjo është e diçka e trishtueshme. Për ne leximi dhe kultura kanë rëndësi të jashtëzakonshme”, thotë Fatos Kongoli.
Por ky fakt, nuk i ka ndalur shtëpitë botuese që të sjellin libra të rinj.
“Shtëpia botuese “Dukagjini” ka sjellë botime të tjera. Ky panair besojmë se do të jetë i suksesshëm dhe të ketë interesim nga lexuesit”, thotë Erza Mati, përgjegjëse e shtëpisë botuese “Dukagjini”.
Edhe pse ka një numër të madh titujsh, për lexuesit, çmimet e librave janë të larta.
“Për t’i blerë tetë deri dhjetë libra të mirë, duhet të kesh së paku 100 euro”, deklaroi pjesëmarrësi i panairit, Jonuz Fetahaj.
Gjatë këtij edicioni pritet që të ekspozohen rreth 1500- 1700 tituj të rinj nga botues të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Diasporës./Telegrafi/