Telegrafi

Panik për grurë

Mungesa e rezervave të miellit mund t’i detyrojë furrtarët kosovarë të shtrenjtojnë sërish çmimin e bukës. Ky shtrenjtim mund të vijë pasi Serbia ka ndaluar eksportin e grurit drejt Kosovës, e cila deri më tani ka eksportuar 80 për qind të grurit nga ky shtet, shkruan Express.

Tani vendi duhet të shikojë alternativa tjera për gjetjen e tregjeve të reja dhe më të lira.

Në anën tjetër, udhëheqësit e Shoqatës së Mullisëve thonë se furrtarët nuk duhet të nguten me shtrenjtimin e çmimit të bukës, por duhet që të gjithë së bashku të gjejnë alternativat për importin e grurit nga vendet tjera, të cilat kanë çmimin më të lirë se Serbia.
Për të ndikuar në uljen e importit të grurit, Ministria e Bujqësisë për këtë vit ka ndarë 3 milionë euro subvencione për drithëra. Kryetari i Shoqatës së Furrtarëve, Halit Xoxa, ka thënë se vendimi i Serbisë është befasues për ta dhe thotë se kjo ka sjellë shqetësime te furrtarët, të cilët nuk kanë rezerva të miellit. Ai nuk e përjashton mundësinë që çmimi i bukës të ketë ngritje sërish për shkak të mungesës së grurit nga bllokada e Serbisë që ka bërë këto ditë.

“Tani ata që nuk kanë rezerva, edhe pse shumica e furrtarëve janë pa të për shkak të lëvizjeve të mëdha që po bëhen në tregje, mund të shtrenjtojnë sërish çmimin e bukës në ditët e ardhshme”, tha Xoxa. /Telegrafi/