Site icon Telegrafi

Panik në bursat kineze

Rikthehet frika dhe paniku në bursat kineze. Indeksi kryesor i bursës së Shanghait e ka mbyllur sesionin e së Premtes në një rënie prej 5.5 për qind, që është edhe performanca më e dobët që prej kolpasit së muajve të verës.

Fundosja e bursave gjatë së Premtes konfirmon se ndërhyrjet e autoriteteve rregullatore kineze gjatë krizës së pak muajve më para ishin thjesht të përkohshme dhe se nuk mund të mbulojnë problemet reale të ekonomisë kineze. Ndikim në këtë performancë ka pasur edhe publikimi i të dhënave të aktivitetit industrial kinez, që shënon një rënie të frikshme prej 4.6 për qind në të dhënat që i referohen muajit Tetor.

Pavarësisht kësaj, tregjet kanë reflektuar më së shumti frikën që lidhet me skandalin e kompanive të brokerave. Autoritete kineze mësohet se kanë nisur një hetim në shkallë të gjerë me qëllimin për të vërtetuar akuzat për mashtrim nga këto kompani. Disa prej tyre gëzojnë asete që tejkalojnë vlerat e 100 miliardë dollarëve. Autoritetet kineze po verifikojnë bilancet e kompanive për falsifikime të mundshme të bilanceve.

Një prej kompanive më të mëdha të kësaj sfere publikoi të dhëna të falsifikuara për vlerën e transaksioneve gjatë muajve prill-shtator, për një vlerë prej 160 miliardë dollarë, kur në të vërtetë vlera prekte shifrën e 40 miliardë dollarëve. Investitorët në vend i tremben një përshkallëzimi të skandalit çka mund të shtrihet në të gjithë sistemin financiar. /Telegrafi/

Exit mobile version