Telegrafi

Pandev: Jetoj për ndeshje të këtilla, le të fitojë më i miri

(Foto: ffm.com)

Në ndeshjen kundër Kosovës, Maqedonia e Veriut do ta ketë në dispozicion edhe kapitenin Goran Pandev, i cili është shprehur i gëzuar që do të mund të luajë krahas bashkëlojtarëve më të rinj.

Në konferencën për shtyp, sulmuesi i Genoas ka thënë se jeton për ndeshje të këtilla, ndërsa ka treguar edhe për vështirësitë që i kaloi që të udhëtonte nga Italia drejt Shkupit.

“Fillimisht dua t’i falënderoj të gjithë ata që ndihmuan për ardhjen time në Shkup. Më meritorë janë përzgjedhësi, sekretari i përgjithshëm i FFM-së, por edhe drejtori në Genoa. E dimë se sa vështirë ishte”.

“E dimë se çfarë sjell kjo ndeshje. Kemi përvojë dhe jemi të përgatitur për atë që na pret. Ndeshjet e klubeve dhe përfaqësueseve janë krejtësisht ndryshe. Të gjithë e dimë çfarë do të thotë ta bartësh fanellën e përfaqësueses. Për mua, ky është shansi i fundit që të luajë në një garë të madhe”.

(Foto: ffm.mk/ekipa.mk)

“Dëshira për të fituar është e madhe dhe t’i ofrojmë kënaqësi popullit tonë, sidomos në këtë periudhë të vështirë në gjithë botën. Unë, thjesht jetoj për këtë ndeshje. E di së të gjithë ne do ta lëmë zemrën në fushë, prandaj le të fitojë më i miri”, ka deklaruar Pandev.

Lexo po ashtu Nën masa të rrepta sigurie – arrin autobusi i Kosovës për përballjen me Maqedoninë e Veriut

Nesër (e enjte, 8 tetor) me fillim nga ora 20:45 në Arena ‘Todor Proeski’ në Shkup, Maqedonia e Veriut dhe Kosova zhvillojnë përballjen gjysmëfinale të ‘play-offit’ në kuadër të Ligës së Kombeve, në kërkim të një shansi për të luajtur në Kampionatin Evropian.

Skuadra fituese do të zhvillojë edhe një finale të ‘play-offi’ kundër fituesit të përballjes tjetër që zhvillohet ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë. /Telegrafi/