Në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike të Qendrës Klinike Universitare, për momentin nuk është e shtrirë asnjë shtatzënë e infektuar me COVID-19.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës Gjinekologjike, Jakup Ismaili, gjatë një interviste për Telegrafin.
Ismaili tha se të gjitha gratë shtatzëna që janë të hospitalizuara tashmë janë vaksinuar kundër COVID-19.
“Gjendja në Klinikën e Gjinekologjisë Obstetrike është stabile pothuajse ka një javë që nuk e kemi asnjë paciente të hospitalizuar me COVID-19. Kemi pasur një kontroll, të gjitha shtatzënat sa ishin të hospitalizuara ku dje ishin 18 dhe lehona, të gjitha t ishin të vaksinuara me nga një doze të vaksinës”, deklaroi ai.
Po ashtu, Ismaili shtoi se edhe stafi mjekësor është 98 përqind i vaksinuar.
“Stafi mjekësor është vaksinuar diku 98 përqind, janë dikur tri katër raste që nuk janë vaksinuar, disa janë me sëmundje kronike, disa janë në pushim të lehonisë, mirëpo është një shifër e lartë e të vaksinuarve sa i përket punëtorëve shëndetësore. Të gjitha gratë shtatzëna që kanë përfunduar lindjen vetëm në valën e fundit janë diku 40, që kanë përfunduar lindjen”, u shpreh Ismaili.
Ismaili bëri të ditur se në lindjet që kanë pasur në Klinikë, nuk është vërejtur që virusi është bartur nga nënë te foshnja.
“Shtatzënat të cilat janë vaksinuar nuk kanë deklaruar se kanë pasur ndonjë problem, reaksion gjatë vaksinimit”, tha ai.
Duke folur për situatën në Klinikë, Ismaili theksoi se përkundër pandemisë nuk ka pasur rënie të natalitetit.
“Deri në fund të muajit gusht kemi pasur 5 mijë e 800 lindje, këto shifra janë të ngjashme me ato që kanë qenë vitin e kaluar. Përkundër pandemisë, nuk kemi rënie të natalitetit”, potencoi ai.
Ismaili theksoi se nuk ka asnjë arsye që gratë të mos marrin vaksinën kundër COVID-19, duke hedhur poshtë pretendimet se ato ndikojnë në fertilitet.
“Nuk ka asnjë arsye në asnjë fazë të shtatzënisë, apo planifikimit familjar, apo lehonat nuk ka asnjë kundër-indikacion që të mos merren vaksinat. Komplikimet janë shumë herë më të rënda të ata që nuk vaksinohen se sa të ata që vaksinohen”, tha mes tjerash ai.
Ismaili tha se vaksinimi është mënyra e vetëm për të ndaluar infeksionin. /Telegrafi/