Ulja e vëllimit të punës, ora policore dhe mungesa e emigrantëve kanë çuar në mbylljen e disa dyqaneve. Për gjysmë viti, “çelës në derë” kanë vendosur dhjetë, ndërsa sipas trendit dhe njoftimeve, numri do të rritet për të paktën tre herë.
Ndikimi i krizës së koronës, ashtu si tek shumica e bizneseve në rajonin e Gostivarit, po bëhet gjithnjë e më i theksuar. Shumica e zejtarëve po përballen me probleme gjatë funksionimit dhe mbijetesës. Në Odën rajonale zejtare e përcjellin situatën dhe theksojnë se anëtarët e tyre kanë vështirësi financiare.
Lulzim Osmani, kryetari i Dhomës rajonale të zejtarëve në Gostivar, thotë se edhe përkundër subvencionimit të pagës minimale dhe kontributeve, zejtarët do ta kenë të vështirë ta kapërcejnë këtë situatë dhe mbijetesa e shumë njerëzve është e rrezikuar. Osmani konfirmon se dhjetë dyqane artizanale u mbyllën midis 31 marsit dhe 31 gushtit, mes të cilëve edhe një nga tre që u hapën gjatë pandemisë.
“Zejtaria në vend është në kushte jashtëzakonisht të vështira. Deri më tani në Odën tonë për pesë muajt e fundit është raportuar se dhjetë zejtarë kanë ndaluar punën. Fakti që nëse kjo prirje me ekonominë vazhdon, më shumë se tridhjetë do të mbyllen deri në fund të vitit”, thotë Osmani.
Si rezultat i krizës të shkaktuar nga pandemia, dy ndërmarrje nga sektori i ndërtimit, dy rrobaqepës, dy parukiere, një bravandreqës dhe një lavazh dhe elektricistët ndaluan punën.
Si arsye për mbylljen, Osmani e thekson mosardhjen e emigrantëve. Ata pothuajse nuk erdhën gjatë verës së këtij viti, për shkak të ndalimeve të vendosura në kufijtë midis vendeve.
Sipas të dhënave të Odës rajonale, e cila përveç Gostivarit i mbulon edhe komunat e Kërçovës, Mavrovës Rostushës dhe Vrapçishtit, ka rreth 500, ndërsa në nivelin shtetëror ka mbi 20 mijë ndërmarrje artizanale.