Site icon Telegrafi

Pandemia COVID-19 trefishon varfërinë në Brazil, rreth 13 për qind e popullsisë jeton me më pak se 44 dollarë në muaj

Varfëria në Brazil është trefishuar në vitin 2021, kështu vlerëson fondacioni Getulio Vargas, që thotë se 17 milionë banorë kanë hyrë në varfëri në tremujorin e parë të vitit, nga ndikimi i ashpër i pandemisë COVID-19.

Hulumtuesit vlerësojnë se 12.8 për qind e popullsisë së Brazilit, apo rreth 27 milionë njerëz, jetojnë tashmë poshtë kufirit të varfërisë prej rreth 44 dollarë në muaj, që është numri më i lartë që kur nisën regjistrimet e të dhënave një dekadë më parë.

Ndërprerja e ndihmave financiare në katër muajt e fundit ka goditur rëndë brazilianët.

“Në këto katër muaj në shtëpi, pa ndihma, ne kemi pasur një rritje në varfëri”, tha Marcelo Nery, kreu i fondacionit.

Nga muaji prill deri në dhjetor 2020, thuajse 66 milionë brazilianë morën ndihma në para. Ndihma emergjencë zbuti goditjen ekonomike, rriti popullaritetin e presidentit Jair Boslonaro dhe luftoi varfërinë. Megjithatë, skadimi i ndihmës në fund të 2020-së, po zhbën këto efekte.

Duke synuar zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Bolsonaro është përpjekur të zgjerojë programin e ndihmave, edhe nëse fundos financat publike.

Paketa e re, që nis nga muaji prill, do të ofrojë katër muaj ndihma me një mesatare prej 44.6 dollarë, ndaj një grupi më të vogël të punëtorëve informalë. /Telegrafi/

Exit mobile version