Katër ndeshje dhe katër fitore, këto janë statistikat e Flamurtarit në katër xhirot e para të Superligës së Kosovës në futboll.
Lideri i deritanishëm i kampionatit e ka mposhtur Lirinë me rezultat 3-1, në stadiumin “Xhemajl Ibishi” në Prishtinë.
Alban Shillova e zhbllokoi rezultatin në minutën e 13-të të takimit, ndërsa Ben Quansah e dyfishoi epërsinë (24′).
Me avantazh të dyfishtë për nikoqirët përfundoi pjesa e parë e kësaj sfide.
Vendasit shënuan edhe në gjysmën e dytë të takimit, kur Alban Shillova e realizoi golin e dytë personal (73′).
Golin e nderit për lirinë e shënoi Gentian Binishi kur po afrohej fundi i takimit (82′).
Flamurtari vazhdon të jetë lider i padiskutueshëm në tabelë me 12 pikë rekorde nga katër xhirot e para.
Për Lirinë kjo ishte humbja e tretë nga katër ndeshje dhe numëron vetëm tri pikë nga një fitore e arritur. /Telegrafi/