Site icon Telegrafi

Pançevskit i ngushtohet rrethi

Brenda javës e cila pason, edhe zyrtarisht duhet të dihet forma përmes të cilës “gjykatësit e anashkaluar” në GJPSH, do të kërkojnë llogaridhënie nga ish kryetari i tyre, gjegjësisht duhet të sqarohen dilemat se kërkesa e gjykatësve do të shkojë në mënyrë kolektive, ose çdo njëri individualisht do të parashtrojë pyetje për aktivitetet dhe punën e ish-kryetarit Vlladimir Pançevski.

Krahas hetimeve, të cilat Prokuroria Speciale Publike i ka filluar ndaj ish kreut të Gjykatës Penale të Shkupit (GJPSH), Vlladimir Pançevski, nesër, sipas paralajmërimeve – edhe një pjesë e gjykatësve të cilët punojnë në këtë Gjykatë, do të kërkojnë inicimin e procedurës për llogaridhënie nga ish-kryetari Pançevski, shkruan gazeta KOHA.

Kërkesat e tyre, pjesa dërmuese e gjykatësve që punojnë në GJPSH, siç raportojnë mediat e vendit, në formë peticioni pritet t’i kërkojnë ushtruesit aktual të detyrës kryetar i kësaj gjykate, Stojançe Ribarev, të dhëna dhe informacione nga puna kur me këtë instancë gjyqësore ka udhëhequr gjykatësi Vlladimir Pançevski. Brenda javës, e cila pason, edhe zyrtarisht duhet të dihet forma përmes të cilës “gjykatësit e anashkaluar” në GJPSH, do të kërkojnë llogaridhënie nga ish kryetari i tyre, gjegjësisht gjatë ditëve në vazhdim duhet të sqarohen dilemat se kërkesa e gjykatësve do të shkojë në mënyrë kolektive, ose çdo njëri individualisht do të parashtrojë pyetje për aktivitetet dhe punën e ish kryetarit dhe kolegut të tyre për momentin – gjykatësin Pançevski.

Të dhënat e publikuar për zhvillimet në GJPSH thonë se “gjykatësit e anashkaluar”, do të kërkojnë edhe informacione nga bastisja e PSP-së që ndodhi javën e kaluar, përfshi edhe kontrollin nga hetuesit e kësaj në shtëpinë e ish kryetari të GJPSH-së, Pançevski. “Gjykatësit janë të interesuar se çfarë lloj të keqpërdorimit ka bërë Pançevski gjatë kohës kur ka qenë kryetar i kësaj gjykate.

Flitet se pikërisht gjatë dy viteve të tij si drejtues i GJPSH-së, ai e ka penguar punën e PSP-së, si dhe ka intervenuar në sistemin elektronik të shpërndarjes së lëndëve, gjegjësisht lëndët gjyqësore i ka dhënë dorë më dorë, respektivisht kjo mënyrë e funksionimit të dhënies së lëndëve thuhet se ka vazhduar edhe pas largimit të tija nga posti i kryetari të gjykatës”, thonë burime brenda Gjykatës Penale të Shkupit, sipas të cilëve, revolta e gjykatësve është shtuar më tepër pasi ka zëra se Pançevski i ka incizuar vendet e tyre të punës. Në kuadër të kërkesës, e cila përgatitet të dorëzohet deri te u.d kryetari Stojançe Ribarev, thuhet se do të kërkohet që ky i fundit – para Këshilli Gjyqësor të Maqedonisë, t’i dorëzohen të gjitha të dhënat që i posedon e që lidhen me punën e paraardhësit të tij.

Ndryshe, një Komision i Ministrisë së Drejtësisë, ekipe të policisë dhe hetues nga PSP, të enjten e kaluar edhe zyrtarisht me urdhra gjyqësor u futën në Gjykatën Penale të Shkupit. Përveç autoriteteve nga Ministria e Drejtësisë, të cilët kontrollin e sistemit elektronik të shpërndarjes së lëndëve gjyqësore paralajmëruan më herët, MPB dhe prokurorët special si cak patën zyrën e gjykatësit Pançevski, ndaj të cilit në prokurorinë e Katica Janevës, zhvillohet një procedurë para hetimore dhe me këtë rast – ish kryetarit të GJPSH-së, ju konfiskuan të gjitha të dhënat nga sistemi kompjuterik i tij dhe dy personave tjerë të punësuar në këtë gjykatë. Duke e arsyetuar këtë bastisje, nga PSP kanë njoftuar se ish kreu i GJPSH-së dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, respektivisht për zbulim të sekretit shtetëror, me këtë rast furnizim me informacione sekret personat të cilët kanë qenë objekt hetimi nga PSP.

Exit mobile version