Ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Edmond Panariti, takoi sot prodhuesit shqiptarë të miellit, të cilët një ditë më parë paralajmëruan se do të fikin fabrikat. Prodhuesit janë shprehur kundër vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për uljen e përqindjes së proteinës në miell nga 12.5 në 9 për qind, duke akuzuar se ky vendim shkatërron biznesin vendas dhe dëmton konsumatorin.
Por Ministria e Bujqësisë garantoi sot se vendimi nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e konsumatorëve, ndërsa paralajmëroi se ndalohet hyrja e miellit jashtë standardeve. Panariti tha se që në momentin që buka hyn në vend, dhe shkon nëpër destinacionet e saj, inspektorët do të kontrollojnë përdorimin e tij.
Ministri Panariti theksoi se ka disa lloje miellrash që përdoren për prodhimin e bukës nga njëra anë, dhe për prodhimin e makaronave, bazës së picës apo ëmbëlsirave, ndaj për këto ndryshon niveli proteinik. Për këtë, ministri tha se do të ketë një orientim të qartë për destinacionin e miellit.
“Ne do të krijojmë një pasqyrë të saktë të nevojave tona, dhe do të përcaktojmë bazën që do na duhet të importojmë. Përcaktuam kufirin e poshtëm të proteinave. Nuk ka asnjë lloj tërheqje nga ana ime, por mielli ka destinacione përdorimi, dhe nuk kemi të drejtë të ndalojmë miellin që kërkon një nivel të ulët proteinash”, tha Panariti.
Ministri tha se do të përcaktohen standardet për të gjitha produktet e brumit, e do të ketë një akt normativ që do të kërkojë të jetë i shkruar në etiketë lloji i miellit të përdorur për bukën.
Panariti theksoi se nuk është vetëm mielli i Kosovës që është bërë shkak për të gjithë këtë çështje, dhe kërkoi që të zhduket miti i luftës tregtare me Kosovën:
“Nuk është vetëm mielli i Kosovës që është bërë shkak, Shqipëria importon miell edhe nga BE-ja, që ka nivel të ulët proteinik. Duhet të ndalet miti i luftës tregtare me Kosovën”. /Telegrafi/