Telegrafi

Panariti: Patatja e Vushtrrisë e dëshiruar në Shqipëri

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, priti në takim ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.

Ministri Panariti tha se vizita e tij në komunën e Vushtrrisë ka rëndësi dhe domethënie të veçantë për të, pasi që është komunë që shquhet për prodhimin e produkteve në fushën e bujqësisë.

“Patatja ka qenë deri më tash një prej problemeve që ne është dashur ta përballojmë, por me marrëveshjen midis dy shteteve këto barriera do të zhduken, që do të thotë se nuk do të kemi pengesa në qarkullim të mallrave. Ne mund të jemi konkurrues me pataten e re, kurse me pataten tradicionale Kosova ka më tepër avantazhe dhe pikërisht duke krijuar hapësira për këto dy kategori të të njëjtit produkt ne nuk jemi konkurrues, por jemi komplementar të njëri tjetrit”, tha Panariti.

Ai tha se erdh pikërisht në Vushtrri për t’i dhënë kryetarit Mulaku mesazhin që patatja e Kosovës, e veçanërisht e Vushtrrisë është e mirëpritur dhe e dëshiruar nga konsumatorët në Shqipëri, sepse tha se shquhet për cilësitë e saj të jashtëzakonshme.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Vushtrri, Bajram Mulaku tha se ndjehet mirë që sot priti ministrin e Bujqësisë Panariti, me të cilin kanë filluar bashkëpunimin qysh vitin e kaluar në vizitën e përbashkët që kishin në Shishtavec, në vjeshtën e vitit të kaluar, që është bërë me iniciativë të ambasadorit të Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi.

Mulaku ka thënë se është shumë i natyrshëm ky bashkëpunim, që qëllim të përfitimit të përvojave të dy anshme dhe fermerëve për rritjen e prodhimtarisë dhe tregut të produkteve bujqësore. /Veriu.info/Telegrafi/