Telegrafi

Panariti: Kosova, sa më shpejt në NATO

Deklarimit e ministrit shqiptar u bënë gjatë diskutimeve në ditën e parë të punimeve të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Panariti kërkoi njohjen e progresit të Kosovës në drejtim të ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike dhe krijimit të një shoqërie multietnike, ku mbizotëron tolerancë dhe mirëkuptim i ndërsjellë. Ai përshëndeti dialogun e nivelit të lartë mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik, duke e konsideruar njëkohësisht të mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, transmeton Panorama.

Panariti vuri në dukje se Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në një forcë profesioniste dhe multietnike, e cila i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Shqipëria, është shprehur Panariti, mbështet fuqimisht integrimin e të gjitha vendeve të rajonit në NATO dhe kjo organizatë duhet të ndjekë një politikë të dyerve të hapura me vendet e Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/