Është çelur sipari i Panairit të Librit “Tirana 2020” . Për herë të parë në 23 edicione, ky panair, për shkak të pandemisë së koronavirusit do të zhvillohet online. Rreth 50 botues do të jenë pjesë e 60 aktiviteteve, që kanë në qendër letërsinë shqipe, përkthimet dhe letërsinë për fëmijë
“Menduam që të nisnim këtë aventurë, një rrugë e panjohur, duke parë edhe eksperiencat e panaireve online. Kjo ide është mbështet nga shumica e botuesve”, shprehet Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve.
Autori i Vitit për 2019, me librin “Dëmtuar gjatë rrugës” Besnik Mustafaj, shprehet se vëmendja institucionale ndaj librit ka munguar në 30 vite
“Ky vit është shumë i vështirë për librin, njerëzit edhe ekonominë, por posaçërisht për librin për shkak të lidhjes së brishtë që ka lexuesi shqiptar për librin në këto 30 vite. Kjo lidhje ka mbetur e brishtë për shumë arsye objektive, por edhe për një përgjegjësi të politikës që ka qeverisur librin në këto 30 vite, e cila nuk ka dashur ta vlerësojë librin dhe të gjithë shërbëtorët e tij; librarë, botues, autorë dhe shpërndarës, në mënyrë që lidhja të jetë në rritje edhe jo e paqëndrueshme dhe e brishtë“, thotë shkrimtari Besnik Mustafaj.
Çmimet e Panairit do të ndahen ditën e diel, datë 15 nëntor. /Report TV/