Site icon Telegrafi

“Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur” nisi teksa i nxirrja nga qesja e bardhë “Sytë e Evës”

Nga: Berat Dakaj

Edicioni i parë i “Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, u hap më 25 shtator dhe përfundoi më 27 shtator 2020 në Prishtinë. U hap të premten dhe u mbyll të dielën pranë Institutit të Albanologjisë. Për t’i dhënë hakun sa dhe si duhet, s’më vjen keq ta kujtoj se idenë për ta realizuar këtë panair e kishte organizatorja, Kimete Kasumi, në kohën sa banonim në Fushë-Kosovë dhe sa ishim – unë qytetar i Klinës ende me dokumente, ajo qytetare e Fushë-Kosovës. Raporti ynë, burrë-grua, pa kurorë, në këtë veprimtari funksionoi.

Ideja për këtë lloj të panairit erdhi e befasishme: Në kohën kur po ngulja këmbë që ta organizoja një panair të librit të ri po në Prishtinë, paksa me kast, një ditë, gruaja, me dy qese në duar u fut në banesë pasi kishte dalë jashtë saj për t’i hedhur dy qese me mbeturina dhe për të blerë bukë për ta ngrënë vaktin e mëngjesit. Ishte ditë e shtunë.

Ishte data 8 prill 2017. E di kohën e saktë sepse këtë ide të vlefshme e të kushtueshme e kam shënuar në ditar. Kur u kthye brenda, në njërën qese kishte libra, në tjetrën dy bukë të bardha. Ia kapa qesen me libra, ia lashë në duar atë me bukë. Ngadalë i nxora nga qesja e bardhë “Sytë e Evës”, “Medaljonin”, “Lepurin me pesë këmbë”, “Vizatimin teknik” dhe “Karvanin e bardhë”. Të gjithë libra të dëmtuar, faqeshqyer, pluhurtrashur, zhyllosur, dredhosur… dy prej tyre kishin nënshkrime burrash, tre të tjerët emra, nënshkrime dhe shkarravina fëmijësh. Bëra një kërkim gjenetik dhe biografik rreth pronarëve të tyre. Por, fqinjët e apartamentit tim i njihja pak atëkohë, të apartamenteve të tjera aspak.

Kështu që hulumtimi më i gjerë për ta ishte i panevojshëm pas përgjigjes që mora prej saj: “I gjeta te kontejneri i bërllokut. I kish gju dikush. M’erdh gjynah me i la aty dhe i mora!” Dmth., dikush kishte bërë braktisjen e tyre qëllimisht. Librat i kishte konsideruar plehra, prandaj i kishte hedhur. Por, tashmë, ata libra kishin pronarë të rinj, njërit prej të cilëve (Kimetës) po atë ditë i lindi ideja që në të ardhmen ta organizonim një panair të librit të përdorur. Dhe, e ardhmja e atij panairi po vinte dita-ditës, krejtësisht heshtur dhe me angazhimin tim serioz. Po e veçoj këtë pronor, tim, sepse për organizimin e tij pastaj më shumë përkujdesesha unë se ideatorja e tij.

Doni të dini qysh dhe si?!

Po, patjetër ju tregoj. Ja si… çdo të diel, për një vit rresht, pasi mora vesh se në tregun e automjeteve në Zonën Industriale në Prishtinë, njerëzit, ndër të tjera, shesin edhe libra të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, dilja kërkoja libra të tillë dhe i blija, disa me çmime të ulëta, disa me çmime mesatare. Me çmim të shtrenjtë asnjëherë. Kur nuk gjeja në tregje, blija nga shitësit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, kryesisht nga Mirsadi, Flurimi, Naseri, Nasufi, nga ndonjëri me çmim të lirë, nga ndonjëri me çmim të shtrenjtë. Bleva prej tyre libra edhe pas përfundimit të panairit. Bleva të dielën. Ndonjëherë nga ndonjëri prej tyre kam blerë edhe veresi. Besë në mua kishin sepse nuk i kam zhgënjyer asnjëherë. Absolutisht për pagesë!

Blija libra të rrallë, të vjetër dhe të përdorur, përpos në tregje veturash e nga këta tregtarë librash, edhe nga individë të tjerë në qytete të Kosovës, si: nga Lejla në Lipjan, nga Osmani në Kamenicë, nga Kajtazi në Drenas e nga kush jo tjetër që më njoftonte se ka një librari me të tillë libra dhe ka dëshirë ta shesë një pjesë ose të gjithën.

Duke u vënë pas këtyre librave të vjetër kudo nëpër Kosovë, një ditë më erdhi pas një burrë i vjetër, Azemi, i thatë dhe i gjatë, shtatëdhjetë e një vjeç, me një kujtesë të jashtëzakonshme historike dhe politike. Erdhi tek unë për t’i lekturuar një libër autobiografik. Kur i dorëzova librin, pas një jave punë në të, nisi e më rrëfej për pasurinë që i mungonte shumë: “Berat, ti i Klinës a?” “Po, axha Azem”. “A keni shpëtuar në luftë?” “Po, të gjithë”. “Shyqyr!” “Po shtëpitë, jua dogjën?” “Shkrumb, të gjitha”. “Po libra, keni pasur në to?” “Po, kemi pasur, si jo!” “A kanë shpëtuar?” “Jo, asnjë”. “Njëmend?!” “Po për besë, të gjitha, shkrumb e hi!”

Deri këtu gjendja emocionale e tij ishte e natyrshme, e qetë. Kur nisi dhe rrëfej për pasluftën e vet dhe për bibliotekën që kishte pasur dikur, iu mbushën sytë me lot për luftën që i zhvillohej përbrenda: “Mua më kanë shpëtuar librat nga lufta, por para një viti djali e rinovoi banesën e librat, nja dy punëtorë krahu, m’i hodhën në kontejnerë sa isha te vajza në Gjermani. Mbi një mijë libra, shqip dhe serbokroatisht…” dhe filloi të folurën ta shoqërojë me vaj, me dhembje të madhe shpirtërore. E ndiente mungesën e tyre sikurse të ndonjë anëtari të familjes. “Unë tjetër gjë më me vlerë në këtë jetë se ata libra nuk kam pasur kurrë. Shumë shënime kam shkruar në shumë fletë të tyre. Sa diskutimin me autorët e kam bërë në ata libra, ata me shkrim me makinë, unë me shkrim me dorë në fletët e librave të tyre. U reagoja kur nuk kishin të drejtë, i pëlqeja dhe u jepja nota kur shkruanin saktë dhe bukur. Për pesëdhjetë vjet me radhë kam blerë libra dhe kam marrë libra dhuratë. Kam marrë kredi nga bankat dhe kam blerë libra. Disa kredi, kur u prish shteti i atëhershëm, mbeta pa i pagu e librat më mbetën”.

Dhe pastaj fije e për pe filloi të më tregoi se cilët libra të cilit shkrimtar i ka pasur. Veprat e rilindësve shqiptarë pothuajse s’i kishin munguar asnjëra. Por, tash, i mungonin të gjitha. Pasuria e vetme e tij ishin kujtimet e freskëta për librat që i kishte e që më s’i kishte e të cilat e kishin bërë për spital sapo ishte kthyer nga Gjermania në Kosovë dhe sapo kishte marrë vesh për ndodhinë e tyre. “Kur më thanë se dy punëtorë i kanë hedhur librat në kontejnerë, doja t’i bëja varrin vetes për së gjalli! U shqetësova aq shumë sa një javë u shtriva në spital, se me plasi zemra!”

Rrëfimi i bacës Azem, i sa e sa Azemave të tjerë, i sa e sa bijve dhe bijave të Azemave të tjerë për humbjen e bibliotekave personale dhe mospërkujdesjen e tyre, mua dhe Kimetën na nxitën ta organizojmë jo panairin me libra të ri, por panairin e ri me libra të vjetër, të cilit i dhamë emër institucional “Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”.

Edhe pse shesh me emër heroi, kishim plan që panairin ta organizonim në sheshin “Zahir Pajaziti”. Shpenzimet e organizimit të tij doja t’i hiqja unë të gjitha nëpërmjet shtëpisë botuese “Armagedoni”, por organizatorja e donte ndihmën e shtetit sa për t’ua kujtuar institucioneve lokale dhe qendrore, nëpërmjet mbështetjes që mund të jepnin, se një panair i tillë, i pari i këtij lloji në Kosovë, i duhet kryeqytetit sepse një si ky organizohet kudo nëpër Evropë, madje në disa shtete nga pesë-gjashtë herë në vit.

Për të ecur tutje rreth organizimit të tij, Kimetja bëri një kërkesë për përkrahje në Komunën e Prishtinës dhe në Ministrinë e Kulturës. E mbështetën, të dyja institucionet, pjesërisht përkrahjen e saj. I dhanë pak para, megjithatë ia zgjatën dorën e bashkëpunimit për këtë ide të re e të rrallë e që duhet të bëhet tradicionale. Dhe me pak përkrahje materiale e me shpenzime të mëdha dhe me aktivitete të shumëllojshme, edicionin e parë të panairit, të parin në kohë pandemie dhe me rreziqe të mëdha, e filluam jo në sheshin “Zahir Pajaziti” ku donim, por në platenë e Institutit Albanologjik ku na u dha mundësia.

Derisa ditët e panairit po afroheshin e masat qeveritare për pandeminë po largoheshin, një natë, teksa po binim të flinim, së bashku me Kimetën menduam për programin e panairit. Disa pjesë të tij i shkruam në banesë po atë natë, disa na mbetën që t’i shkruajmë të nesërmen. Ndërkohë, pesë ditë para hapjes së panairit, një grua që kërkonte shërbim profesional nga unë për botim të një libri, në “Edi 2” ma zgjati dorën e ndihmës për panair. Por, s’e zgjati as sa duhet, as nuk ma shtrëngoi dorën fort dhe s’e mbajti gjatë. M’i dha sall majat e gishtave dhe m’i dha rrëshqitshëm dhe vajti për në Kukaj. Për shkak të smirës për t’i shënuar vetes dhe OJQ-së së vet një mbrëmje poetike, shpenzimet për të cilën duhej t’i paguaja unë, mbi 500.00 euro, bëri një ligësi saqë më neveriti shumë: Takimin me njërin shkrimtar, prej dy të ftuarve në kuadër të “Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, fillimisht e shënoi aktivitet të OJQ-së së vet pastaj, pas reagimit tim vetëm në linjë mesazhi me të, e shënoi aktivitet të vetin. Ia paftë harin atij, por edhe shpenzimeve!

Me zemër të thyer, që ende përballem me kësi njerëz edhe kur kam mbushur 35 vjet, që s’të përcjellin në shtigje as të shkurtra, e filluam dhe vazhduam panairin mbarë në bashkëpunim me media, institucione dhe me individë. Erdhën, si ushtritë, gazetarët dhe kameramanët e “Klan Kosovës”, KTV-së, T7-shit, RTV21-shit, “AlbanianTv”, të “Epokës e re”, të “Observkult”-it, “Kallxo.com”-it e plot të tjera. Në këtë kontekst, zë ngoje se drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, në kohën e luftës globale Covid-19, kur artistët janë bërë si refugjatët në kohë lufte që ikin nga zonat e zjarrta për të mbetur gjallë e nisur një jetë të re, na hapi dyert e institutit dhe na ofroi bashkëpunim profesional dhe fizik me shumë punonjës të vet për ta shënuar njërën prej ngjarjeve kulturore më të mira që nga paslufta në Kosovë.

Na erdhi pranë edhe në hapje të panairit, me shumë punonjës të vet. Na ofroi bashkëpunim edhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kryeshefi Bedri Zyberaj u angazhua me mish e me shpirt e me disa punonjës që panairi të bëhet sa më madhështor. Shto këtu pastaj Adem Gashin që tha: “E pamundur ta hapësh një bisedë a fjalë rasti pa e zënë ngoje ngjarjen që është bërë dukuri, madje në shkallë botërore. Pandeminë Covid 19. E pra, pikërisht në këtë dyndallë shqetësimi, ja që qenka dikush që u kujtuaka edhe për librin! Janë këta, Kimetja (Kasumi), Berati (Armagedoni), Vlora (Ademi), Agroni (Shala), Venera (Alshiqi), që u kujtuan se ka diçka ndriçuese edhe midis përhumbjes pandemike.

Nismat e këtilla doemos që kanë në vetvete një dalldi aventurore po, para së gjithash, kanë mund e përpjekje, sakrificë dhe këmbëngulje. Është libri pra, ai, i rralli, i moçmi, i përdorshmi e i përdoruri. Pse të mos i blatohet një faltore atij, një Panair i këtillë, për herë të parë te ne?

Dhe u nisën si gjurmuesit e arit në rrjedhën e ujërave të akullta të Alaskës, si zhytësit deri në fundin e detit pas perlave, dhe… ja ku na i sollën, mbi shtatëqind tituj.

S’është figurë poetike nëse them: ja edhe një gur themeli për një bëmë kulturore. Kjo pastaj hap shtigje edhe për dyqanin e antikuarit të librit të vjetër, i munguar te ne, edhe për shumë manifestime kulturore, artistike e diturore përcjellëse.

Vitet do të ikin dhe ne do të themi: Ishin ata, Kimetja e Berati, Vlora, Agroni e Venera që e nisën këtë punë.

Në mos qoftë mburrje do të jetë kujtesë.

Suksese!”

S’mund të shkruaj fjalë tjetër për panairin, për individët dhe për institucionet e tjera, as për Agron Shalën dhe Albinin, Jonën e Habibin e Dritonin, e sa e sa të tjerë, pa e shkruar këtë fjali të gjatë: Të falemnderit, Adem, për secilin emër, folje, ndajfolje, parafjalë, lidhëz dhe gjymtyrë tjetër, me rend dhe mend, shkruar në këtë tekst të shkurtër e lexuar para dyerve të Institutit Albanologjik në Prishtinë, në edicionin e parë të panairit, para shumë mediave e para tetëdhjetë e dy të pranishmëve.

Së këndejmi, pasi që ideja e organizatores (e Kimetës), edhe e imja, ishte që librat qindvjeçarë, institucionet, botuesit, autorët, shitësit, lexuesit t’i bëjmë bashkë për të diskutuar dhe për ta ngrehur vetëdijen për ruajtjen e librave e të trashëgimisë fizike në një strehë institucioni shkencor dhe kombëtar, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore i Arkivave të Kosovës na shtroi bukë e krip e zemër dhe rihapi, po në kuadër të panairit, ekspozitën “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”, duke vënë theksin në hapje më shumë te ekspozita! Po, po, pati interes të madh publiku edhe për ekspozitën. Kushdo që vinte ta vizitonte panairin, e vizitonte edhe ekspozitën sepse përbëhej nga dokumente të vjetra, me interes të madh historik kombëtar dhe universitar.

Organizuam pastaj, në natën e parë të panairit, takim me shkrimtarin Milazim Krasniqi. Një natë për t’u mbajtur mend gjatë sikurse ajo e viteve ’50 e Nolit me krijues të rinj në Amerikë, të cilëve u fliste për përvojat e veta krijuese. Profesor Krasniqi, bashkërisht me eruditin Haqif Mulliqi, na rrëfej gjerë e gjatë për përvojat e shkrimit të veprave e të librave të vet, për gazetarinë e sotme dhe tradicionale, për lirinë dhe për luftën. Nuk e përfunduam takimin pa ardhur aty moderatorja e Radio Televizionit të Kosovës, Alketa Gashi Fazliu, e cila, me interpretimin e shkëlqyeshëm që ua bëri tri poezive të Milazim Krasniqit publikuar në veprën “Poezia dhe vdekja”, përloti autorin dhe publikun, rrëqethi edhe rreth tridhjetë të pranishëm, mysafirë të takimit me të.

Një takim të tillë me publik, një natë më pas, po në të njëjtin vend, në “Sonder” në Prishtinë, kishte dhe Primo Shllaku. Nuk shkova ta takoja për shumë arsye. E para sepse u dërrmova nga lodhja për tri ditë me radhë pandërprerë punë, pa bërë as tri orë gjumë natën e as një sy gjumë ditën. Pastaj, se ajo që e kishte ftuar s’po e përmbushte kontratën gojore që e kishim bërë dhe lidhur me besa-besë. Po devijonte nga programi im për shkak të smirës së madhe për t’i shtuar biografisë së OJQ-së së vet një takim shkrimtari me para të huaja. Së dyti, gjatë ditës, sa e njëjta erdhi në panair dhe ndenji veç 43 sekonda, më tha, kalimthi pra, “sonte për mjeshtrin përkujdesem unë”. S’e dija se do të përkujdesej për shkujdesjeje të programit, se do ta regjistronte mbrëmjen në organizatën e vet! Por, ja që ndodhi një herë kështu e ja që nuk do të ndodhë kurrë më! Së treti, nuk shkova aty sepse po aty kishte njerëz të pranishëm që, po sikurse kjo, ma kishin ngulur ndër vite në kohën kur ishim shokë dhome dhe kur përkujdesesha për punësim të tyre e për sa e sa punë të tjera që i kanë harruar për shkak të lakmive të përkohshme e smirës për grabitje të parave e të nëpërkëmbjes së nderit, të burrave dhe të grave!

Prandaj, Primos i kërkoj falje që erdhi, pa dhe shkoi e që nuk shkova ta dëgjoj fizikisht. Do ta shoh sot në portalin e Donikës intervistën e tij, në portalin e të dashurës Donikë dhe punëtore, e cila bashkë me Arbërin po bëjnë punë të jashtëzakonshme për kulturën si asnjë media tjetër në Kosovë dhe Shqipëri e Maqedoni Veriore. E njëjta Donikë më tha po edhe për përcjelljen dhe për xhirimin e orës poetike “Pandemia na largoi, poezia na ofroi” dhe, gjysmë ore para kohës, erdhi aty Arbëri me kolegun e vet, me kamera profesionale në duar, duke duruar teket dhe huqet e Bislimit brilant, të cilin do ta dëgjojmë sot, do të ndiejmë frymën dhe zërin e tij dhe frymën dhe zërin e Xhevdetit, Ademit, Salajdinit, Lulëzimit, Eminit, Bedriut, Lulit, Arifit, Shkëlzenit, Dijes, Palit, Donikës dhe të një mize që hidhte vallen në hollin e shtëpisë së “Pjetër Bogdanit” dhe na nervozonte që s’mund ta zinim për ta kryqëzuar!

Përkarshi Primos, që mund ose jo të ketë ardhur ose të jetë ftuar në këtë festival libri në emrin e organizatores Kimete dhe timin, falje publike i kërkoj edhe Azem Zogajt, njeriut të mençur e bujar, të cilin e pata ftuar të marrë pjesë në panair e që s’pata mundësi t’i bëj vend për shkak se Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës nuk ktheu përgjigje për organizim të panairit në shesh. Më fal, bacë Azem! Më fal, pashë nderin! Po ashtu, u ndjeva keq që, si koordinator panairi, s’pata mundësi t’i bëj vend në panair as Arben Kondit që donte t’i prezantonte mbi një mijë tituj të vjetër e të rrallë, botime të Shqipërisë. Ndonjëherë tjetër, Ben. Ndonjëherë tjetër, mik. Po ashtu, s’pata mundësi t’u bëj vend as vëllezërve elbasanas, Novi dhe Gesi e shumë kolegëve të tyre që donin të merrnin pjesë me libra qindravjeçarë! Prej këtu e gjatë gjithë Rrugës së Kombit, deri në Shqipërinë që e duam fort, falje ju kërkoj, vëllezër. Kaq kishim vend, kaq kishim mundësi, kaq kishim njerëz të bënim në këtë edicion për librin e vjetër, të rrallë dhe të përdorur. Agron Shala ka parashikuar se në vitin tjetër, edicioni i dytë, do të bëhet ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë. U bëftë!

Natën, miq dhe vëllezër!

Po përpiqem të bëj një sy gjumë, se sërish nesër duhet të çohem herët që t’i kap librat nëpër duar për bibliotekat e shkollave të Prishtinës. Amanetin e botuesve dhe të individëve duhet ta çoj në vend sa më parë. Po patët durim dhe kohë e fuqi t’i mbani hapur kapakët e syve edhe pak kohë, lexojeni edhe këtë shënim të librashitësit Florim Beqiri që na bëri të ndihemi mirë: “Dita e parë në Panairin e librave të përdorura.

Në dispozicion kam hapësirë 2.40m. me 080m.

Pjesëmarrja është falas.

Kemi një mëditje ditore në lartësi prej 15 €

 (30 € dy ditë).

Ushqimi , pijet, falas nga organizatori.

Shitja e realizuar ditore në ditën e parë 354 €.

Është hera e parë që nga viti 1999 që marrë pjesë si i ftuar në një panair i cili financohet apo mbështete nga MKRS e ku jo se nuk duhet të paguaj për pjesëmarrje por paguhem, hera e parë që nuk e ndjejë veten të prejashtuar nga e drejta që me punë të përmisojë mirëqenien time e të familjes.

Hera e parë që tatimet e mia u rikthyen te unë, dhe hera e parë që po e ndjejë ngrohtësinë e shtetit tim.

(p.s.nga shuma e fituar 280 € do të paguaj borxhin e mbledhur të energjisë elektrike gjatë izolimit dy mujor nga pandemia, shteti nuk na ka dhënë asnjë euro mbështetje)”.

Exit mobile version