I nisur që në vitin 2001, Panairi i Librit “Ulqin 2018”, i cili mbahet nga data 3-8 gusht në shëtitoren e Plazhit të Vogël, u organizua nën kujdesin e Komunës së Ulqinit.
Një ngjarje e mirëpritur nga pushues dhe dashamirës të librit këtë vit bëri bashkë 45 botues nga Tirana, Shkodra, Ulqini, Podgorica, Prishtina, Shkupi, Tetova e Gostivari, duke prezantuar qindra botime të reja të realizuara brenda këtij viti.
Drejtorja e përgjithshme e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, u shpreh se ky panair mban në gjirin e vet punën e gjithë këtyre botuesve, që në mënyrë të përkushtuar, nuk ju ndan këtij panairi për 18 vjet me radhë. Ndërsa, shkrimtari Namik Dokle u shpreh se rëndësia e librit kuptohet vetëm nga ata që e lexojnë. Sipas tij, bota nuk mund të ishte kjo që është pa librin, pa kulturën, pa marrëdhëniet midis njerëzve popujve dhe shteteve.