Site icon Telegrafi

Panairi i Dimrit mundësi e mirë për prodhuesit

Është hapur sot, në Sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, Panairi i Dimrit, në të cilin janë eksponuar dhe po shiten produkte vendore, ndër të cilat dominojnë prodhime artizanale. Përveç produkteve të punuara me dorë si veshje kombëtare, varëse të ndryshme, dekorime e ngjashëm, në sheshin e Prishtinës janë vendosur edhe stenda me produkte ushqimore.

Qëllimi kryesor i organizimit të Panairit të Dimrit është promovimi i firmave, zanateve dhe prodhimeve të vendit.

Pjesëmarrësit në këtë panair shprehen se ai është mjaft i qëlluar, mes tjerash pasi që organizohet në prag të festave të fundvitit, kur edhe fluksi i njerëzve, pra i vizitorëve dhe blerësve, është më i madh se zakonisht.

Gazmend Daka, pronar i bodrumit familjar “Daka”, nga Rahoveci, tha se ky është viti i dytë që është pjesëmarrës në këtë panair, i cili më së shumti i shërben për reklamim. “Më tepër është panair i reklamimit, shitje ka, jo që nuk ka, mirëpo më tepër është panair i reklamimit. Ne i kemi prodhimet tona që i bëjmë, si verërat e bardha shardone dhe rizling italian dhe prej verërave të kuqe janë vranac dhe pinot noar. Njëkohësisht kemi edhe raki të rrushit”, tha Daka.

Ndërkaq, Sela Imeri, pronare e biznesit për gatimin e ëmbëlsirave, u shpreh se për dallim nga pjesëmarrjet e kaluar, sot ka sjellë vetëm bakllavë, dhe se për të nuk është aq me rëndësi shitja sa vetë pjesëmarrja. “Sot kam sjellë vetëm bakllavën, të tjera ëmbëlsira sot s’kam sjellë …..me rëndësi është promovimi , pjesëmarrja. Shitja, edhe ajo është e rëndësishme por me rëndësi është me marrë pjesë në panaire që janë të rëndësishme”, ka thënë ajo.

Myrvete Begolli tha se të gjitha ato që i ka sjellë në panair është punë dore të grave familjare. “Ne konkretisht këtu kemi sjellë në këtë panair veshje kombëtare dhe artizanate nga vegu. Po këto i punojmë me dorë, është puna e grave familjare dhe të gjitha janë punë dore edhe me veg. Ne i kemi pru veç për ekspozitë, por mendoj se do të kem shitje. Edhe në panairet tjera kemi pasur shitje sepse janë kryesisht punim dore”, tha Begolli.

Panairi është organizuar nga Asociacioni për Zhvillim Rajonal, si pjesë e projektit “Mbështetje për Networking, Zhvillim Rajonal në Kosovë”, financuar nga BE-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version