Panairi ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit AGROKOS, do të hapet sot. Kjo është ngjarje që siguron një mjedis optimal për të gjithë ekspozuesit për të promovuar me sukses ofertat e tyre në një mjedis shumë të kërkuar të biznesit, ku të gjithë mund të prekin rezultatet e panairit AGROKOS gjatë ditëve të ekspozimit.
Albona Demaku menaxhere e Panairit të Agrobiznesit dhe Ushqimit AGROKOS, tha se edicioni i 18-të sjellë shumë risi. “Këtë vit do të ketë shumë prodhime vendore të Kosovës në panair”, tha ajo në emisionin e mëngjesit në RTK.
Sipas saj, kompanitë kosovare që kanë prezantuar në këtë panairi kanë pasur rezultate.
Ndryshe AGROKOS është shndërruar në këshilltar dhe partner besnik për mijëra ndërmarrës dhe firma vendorë e ndërkombëtarë nga sektori i agrobiznesit që kanë ekspozuar dhe vizituar këtë ngjarje ndër vite.
Duke shfrytëzuar lokacionin gjeografik, në qendër të Ballkanit, si dhe rrjetin e gjerë që disponon AGROKOS është kthyer në një ngjarje tregtare tashmë kyçe dhe tradicionale dhe është duke kontribuar vazhdimisht në zhvillimin e mëtejmë të zinxhirit të prodhimtarisë vendore dhe ndërkombëtare në sektorin e agrobiznesit. Njëkohësisht AGROKOS është kthyer në urë-lidhëse ndërmjet bashkëpunimit afarist të vendeve të Evropës dhe më gjerë.
Paralelisht me panairin, për vizitorët profesionist CEO organizon aktivitete të ndryshme informative dhe profesionale si; seminare, punëtori, konferenca nga ekspertë shkencor dhe profesionist të kësaj fushe.
Si ngjarje e rëndësishme në vend AGROKOS çdo herë ka pas bashkëpunime të ngushta me institucionet e qeverisë së Kosovës dhe organizatave te huaja të cilat kanë projekte aktuale të fushës së Agrobiznesit.
Me mbi 10540 vizitorë profesioniste të regjistruar vitin e kaluar dhe me 128 pjesëmarrës Kosova, Holanda , Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Gjermania, Sllovenia dhe Izraeli, AGROKOS mbetet ngjarja më e rëndësishme në fushën e agrobiznesit në Kosovë e rajon.
Panairi mbështetëset nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, KIESA- MTI dhe Komuna e Prishtinës. /Telegrafi/