Site icon Telegrafi

PAN-i s’e di datën e votimit për formimin e Qeverisë

Zyrtarë të partive të koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) thanë se ende nuk është vendosur se kur do të votohet formimi i Qeverisë së re.

Blerand Stavileci, zyrtar i PDK-së, tha se nga data 3 gusht do të nisë një epokë e re, me institucione të reja. Ai aludoi në datën e caktuar për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

“Koalicioni fitues do t’i krijoje institucionet e reja”, tha Stavileci për KALLXO.com, duke shtuar se “pak ka rëndësi minuta ose sekonda kur ndodhin këto vendime dhe veprime”.

Ndërsa, zyrtari i AAK-së, partia tjetër e koalicionit PAN, Muharrem Nitaj, tha për KALLXO.com se akoma nuk është vendosur për datën e votimit të Qeverisë së re të Kosovës. “Megjithatë, nuk besoj se do te votohet të njëjtën ditë”.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka ftuar deputetët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 11 qershorit në seancën konstituive kur në rend dite do të jenë tri pika: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Exit mobile version