Telegrafi

PAN-i ende pa vendim për thirrje të seancës konstituive

Partia e Behgjet Pacollit e cila ka arritur të ketë katër deputetë në Kuvendin e Kosovës, i ka hapur rrugë koalicionit PAN për krijimin e qeverisë pas nënshkrimit të marrëveshjes së sotme.

E pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, PAN ende nuk ka vendim se kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, për krijimin e institucioneve, ndonëse shprehen se një gjë e tillë do të ndodh shumë shpejt.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i cili ka thënë se janë duke u koordinuar.

“Jemi në koordinim të gjithë partnerët e koalicionit për bashkëqeverisje se kur mund të ftohet seanca. Kjo është një temë që do koordimin, por besoj se do të ndodhë shpejt”, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur se a ka gjasa që seanca të mbahet gjatë kësaj jave, Hoxhaj ka thënë se nuk mund të flasë më shumë rreth kësaj teme.

Ndryshe AKR më herët nënshkroi marrëveshje me PAN-in, pasi ndau rrugët me koalicionin parazgjedhor LAA. /Telegrafi/