Site icon Telegrafi

(Pa)mundësitë e rinisë

Të rinjtë mund dhe duhet të kontribuojnë pozitivisht në komunitetin e tyre. Ata duhet të inkurajohen që të përfshihen në vendimmarrjen e ndryshimeve. Me projektet rinore të rinjtë dhe të rejat kanë mundësi te veprojnë në komunitetet e tyre nëpërmjet aksioneve dhe ideve. Të gjitha institucionet e shtetit, si të pushtetit qendror ashtu edhe atij lokal, duhet t’ju ofrojnë qasje atyre.

Në bazë te nenit 1 të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë thuhet: “Ky ligj ka për qëllim avancimin dhe riafirmimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi në zhvillimin e një shoqërie demokratike, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror”. Kurse, në nenin 13 të po këtij ligji sigurohet pjesëmarrja e të rinjve dhe ndikimi në procesin e vendimmarrjes në politikat sektoriale në fushën e arsimit, punësimit, shëndetit publik, çështjet sociale, kulturë, sport, ambient, planifikim hapësinor dhe zhvillim rural.

Por, megjithëkëtë institucionet tona nuk i kanë përmbushur obligimet ndaj rinisë, për shkak se rinia kosovare ballafaqohet me probleme të shumta. Rinia jonë nuk është pjesë e proceseve vendimmarrëse, por përkundrazi ajo rrallëherë përdoret për arritjen e qëllimeve politiko-partiake.

Sipas statistikave në Kosovë, për çdo vit në tregun e punës hyjnë nga 30. 000 të rinj. Në mungesë të strategjisë së qartë të punësimit, të rinjtë me gjithë kualifikimet e tyre profesionale dhe aftësinë e forcën për punë, nuk mund të gjejnë perspektiven e duhur si pasojë e vendeve të kufizuara të punës.

Një karakteristikë për Kosovën është rinia ekonomikisht jo aktive, që paraqet një kërcënim serioz për tregun e punës, e që sjellë pasoja si ekonomike, sociale ashtu edhe individuale për gjithë ata. Shqetësuese është edhe e ardhmja e tyre dhe e familjeve të tyre të reja që priten të krijohen. Për këtë arsye, Kosova duhet të përgatisë objektiva dhe strategji që të zhvillohet tregu i punës në përputhje me objektivat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO).

Për fatin tonë të mirë, 50 për qind e popullatës së Kosovës është e re. Ky është një potencial i madh për përmirësimin e jetës në Kosovë duke.

Por, një ndër shkaqet e mungesës së perspektivës tek të rinjtë mbetet mungesa e integrimit dhe e sensibilizimit organizativ e social. Kjo paraqet një demokraci fiktive, sepse vendimet për ta merren nga të tjerët.

Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje është e rëndësishme edhe për risitë që sjellin në mënyrën e të konceptuarit të integrimit. Mundësia e tillë i bënë ata më të interesuar në llogaridhënien e Qeverisë dhe institucioneve të tjera. Pra, kështu jepet një kontribut në zhvillimin e demokracisë.

Për të arritur deri tek kjo, rinia e Kosovës duhet të organizohet që ta ngre zërin në përmirësim e kësaj pozite, e jo të mbetet spektator pasiv dhe pa iniciativë për ndryshime pozitive.

Të rinjtë e Kosovës janë vlerë e madhe për progres dhe si të tillë ata meritojnë mbështetje.
 

Exit mobile version