Telegrafi

Pamjet që tregojnë reagimin me nervozizëm të Courtois, pas humbjes së Belgjikës nga Maroku

(Foto: Twitter/nocontextfooty/ESPN FC)

Thibaut Courtois kishte një ditë të keqe në portë gjatë ndeshjes ndërmjet Belgjikës dhe Marokut në sfidën e dytë të fazës grupore në Kampionatin Botëror.

Portieri i Real Madridit ishte fantastik në fitoren ndaj Kanadasë, porse ishte fajtor në humbjen befasuese nga Maroku.

Ai pranoi një gol nga gjuajtja e lirë kah shtylla e tij më e afërt, para se marokenët ta vulosnin fitoren në minutat shtesë.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Pas përfundimit të ndeshjes, 30-vjeçari vërehej se nuk ishte aspak i kënaqur me paraqitjen e vet dhe të skuadrës, e sidomos me rezultatin.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Courtois shihet duke e goditur xhamin e bankës rezervë gjatë largimit drejt zhveshtores.

Kjo humbje do të thotë se Belgjika me çdo kusht duhet ta mposhtë Kroacinë në ndeshjen e fundit të fazës grupore, në mënyrë që të kualifikohet në të tetën e finales.

Maroku është në situatë shumë të mirë (katër pikë) dhe në sfidën e fundit luan përballë Kanadasë. /Telegrafi/