Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Suedisë nuk përfundoi mirë për Bernard Berishën, i cili u përjashtua me karton të kuq në fund të takimit.
Dardanët pësuan humbje me rezultat 3-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në sfidën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’.
Kur po zhvilloheshin minutat shtesë (90’+2), mesfushori i klubit Akhmat Grozny mori kartonin e dytë të verdhë dhe u detyrua ta lëshonte fushën.
Berisha u ndëshkua për faktin se e goditi me bërryl mbrojtësin e krahut, Mikael Lustig, që do të thotë se ai do të mungojë në takimin ndaj Spanjës.
Mirëpo, derisa 29-vjeçari e lëshoi fushën me qetësi pa asnjë reagim, futbollistët kundërshtarë nisën ta ngacmonin.
Fillimisht, Lustig nisi ta ngacmonte duke tundur dorën në formë përshëndetjeje dhe u pasua nga Sebastian Larsson, i cili po ashtu çoi dorën duke i thënë: ‘Tung”.
Dhe e gjitha përfundoi me qendërmbrojtësin e Manchester Unitedit, Victor Lindelof, që shihet në prapavijë duke bërë gjestin e përshëndetjes me dorë. /Telegrafi/