Pamjet nga një duel sparringu tregojnë momentin kur Floyd Mayweather e mësoi rëndësinë e ruajtjes së formës gjatë gjithë vitit.
Në fund të viteve të nëntëdhjeta, boksieri i stuhishëm dhe arrogant ‘Pretty Boy Floyd’ kishte statistikë 13-0 dhe ishte në rrugë për titullin e parë të botës.
Asokohe rreth tij sillej një atmosferë e të pamposhturit ndërsa ngjitej nëpër rangje, ku praktikisht ishte i paprekur.
Por, e gjithë kjo frymë do të rrënohej në një natë kur Mayweather u takua me kampionin e ardhshëm të IBF-së në peshën e lehtë, Paul Spadafora, në një seancë sparringu që theu vullnetin e superyllit të ri.
Videoja, e cila për herë të parë ishte transmetuar në vitin 2002, shfaq Floydin e rraskapitur që merrte goditje të vazhdueshme, teksa në fund shtrihet plotësisht në dyshemenë e ringut.
Sipas trajnerit të Spadaforas, Jesse Reid, Mayweather ishte rrahur aq keq saqë kishte kërkuar ndërprerjen e duelit që në raundin e katërt, por trajneri nuk e ndali, sepse dëshironte t’i jepte një mësim.
Në një intervistë për Artorias Boxing, Reid ka treguar se dy raundit ishin të barabarta, porse pas tyre Spadafora e kishte dominuar kampionin e pamposhtur.
“Hunda e tij gjakoste dhe syri i ishte ënjtur, ndërsa ai (Spadafora) vazhdonte ta thyente. Në raundin e katërt, Mayweather erdhi tek unë dhe më tha nëse mund të dilte nga ringu sepse ishte i lodhur”.
“I thashë: ‘Nuk do të dalësh nga ringu, sot do të rrihesh për të mësuar për gojën e madhe që ke pasur sikurse edhe babai yt”, ka kujtuar Reid.
Floyd Mayweather u pensionua nga boksi profesionist në vitin 2017 si i pamposhtur me një rekord prej 50-0.
Paul Spadafora u pensionua në vitin 2014 me një rekord prej 49-1-1, por përkundër se e kërkoi gjatë gjithë karrierës përballjen zyrtare me Mayweather, atij nuk iu plotësua asnjëherë dëshira. /Telegrafi/