Site icon Telegrafi

Pamjet nga droni tregojnë pasojat e zjarrit vdekjeprurës të pyjeve të Portugalisë (Video)

Portugalia ka deklaruar tri ditë zie kombëtare ndërsa vendi u përball me një zjarr shkatërrues që përfshiu qendrën e kombit, duke vrarë të paktën 62 vetë dhe duke plagosur 59 të tjerë.

Ndërkohë, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, janë publikuar edhe pamje të bëra nga droni, të cilat tregojnë shkallën e shkatërrimit.

Zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Jorge Gomes, ka thënë se shumë nga viktimat u dogjën në makinat e tyre, në përpjekje të dëshpëruar për të ikur.

“Ky është një rajon që ka pasur zjarr për shkak të pyjeve të tij, por nuk mund të kujtojmë një tragjedi të këtyre përmasave”, tha Valdemar Alves, kryebashkiak i Pedrógão Grande. “Unë jam krejtësisht i tronditur nga numri i vdekjeve”.

Ndërkaq kryeministri i vendit e quajti atë “tragjedia më e madhe e jetës njerëzore që ne kemi njohur në vite”.

Zjarri filloi rreth mesditës të së shtunës në një zonë malore të rrethit Leiria qendrore dhe u përhap shpejt në tri komuna të tjera.

Zjarri është përkeqësuar nga temperaturat e larta, duke arritur në rreth 40 gradë Celsius.

Ndërkaq shkaku i zjarrit është i panjohur deri më tani. /Telegrafi/

Exit mobile version