Janë publikuar pamjet e prangosjes së tre të “fortëve” në Fier, të cilët akuzohen për trafik droge, vrasje dhe rrëmbime personi.
Falë operacionit “Forca e ligjit” u bë e mundur prangosja e Kujtim Kuçit, Bashkim Ahmeto si dhe Dritan Tushës.
Në video shihet se si punonjësit e policisë, të veshur civilë, kanë hyrë në lokalin në pronësi të një prej të arrestuarve dhe i kanë ndaluar të tre këta persona.
Aksioni erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasit dispononin lëndë narkotike.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, u ushtrua kontroll në lokalin në pronësi të shtetasit Kujtim Kuçi, në fshatin Fermë Çlirim.
Gjatë ndërhyrjes së policisë në ambientet e lokalit janë ndaluar shtetasit e mësipërm dhe pas kontrollit, shtetasit Kujtim Kuçi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri e markës Glock dhe 2 krehra me fishekë.
Shtetasit Bashkim Ahmeto iu gjet dhe sekuestrua 1 pako me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë e markës Glock dhe një krëhër me fishekë.