Site icon Telegrafi

Pamje trishtuese nga Afganistani: Kaosi i krijuar në aeroportin e Kabulit ndërsa afganët përpiqen të largohen nga talebanët

Trupat amerikane gjuajtën në ajër në aeroportin e Kabulit, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ndërsa mijëra afganë mbushën pistën duke u përpjekur të “kapnin” një fluturim për jashtë Afganistanit.

“Ndihem shumë i frikësuar këtu. Ata po gjuajnë shumë të shtëna në ajër”, citohet të ketë thënë një dëshmitar për AFP.

Ndërkohë janë shfaqur disa video të njerëzve që vrapojnë në pistat e aeroportit dhe përpiqen të hipin në fluturime.

Në këtë drejtim raportohet se fluturimeve amerikane që transportojnë staf diplomatik jashtë vendit janë duke iu dhënë përparësi, duke shkaktuar zemërim dhe duke çuar në më shumë kaos dhe konfuzion.

Ndryshe, afganët janë zgjuar në një ditë me një udhëheqje të re disa orë pasi talebanët morën kryeqytetin Kabul dhe shpallën fitoren.

Ndërkohë që më shumë se 60 vende kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke kërkuar që siguria dhe rendi civil të rivendosen menjëherë dhe duke kërkuar nga talebanët të lejojnë ata që dëshirojnë të largohen për ta bërë këtë.

Sidoqoftë, aktivistët po shprehin shqetësime për gratë në Afganistan mes raporteve që talebanët tashmë po detyrojnë ndryshime në mënyrën se si vishen dhe zgjedhjen e tyre për të punuar, në disa pjesë të vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version