Telegrafi

Pamje të tjera të vullkanit në Islandë, aty ku llava e shpërndarë “gëlltiti” edhe disa shtëpi

Shtëpitë janë përfshirë nga zjarri në qytetin islandez të Grindavik pasi dy çarje vullkanike u hapën aty pranë.

Një vullkan në gadishullin Reykjanes shpërtheu në orët e para të së dielës, nga i cili është shpërndarë një llavë në qytetin e peshkimit.

Shpërthimi po rezulton të jetë “skenari më i keq” sipas një eksperti, me të gjithë popullsinë e qytetit duke u evakuuar, përcjell Telegrafi.

Pjesët e ndërtuara si “mbrojtje” pas një shpërthimi në dhjetor kanë ndalur pjesërisht llavën, por disa janë thyer.

Veç kësaj, rruga kryesore për në qytet është ndërprerë nga rrjedha e llavës.

Duke iu drejtuar kombit në një transmetim të drejtpërdrejtë të dielën në mbrëmje, presidenti i Islandës Gudni Johannesson u bëri thirrje njerëzve që “të qëndrojnë së bashku dhe të kenë dhembshuri për ata që nuk mund të jenë në shtëpitë e tyre”.

Ai tha se shpresonte se situata do të qetësohej, por se “çdo gjë mund të ndodhë”, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

Ndryshe, lëkundje të forta tërmeti i paraprinë shpërthimit të dhjetorit në sistemin vullkanik Svartsengi.

Në javët që pasuan, u ndërtuan mure rreth vullkanit për të ndryshuar rrjedhën e “shkëmbinjëve të shkrirë” nga Grindavik, shtëpia e rreth 4,000 njerëzve.

Zyra Meteorologjike Islandeze (IMO) tha se barrierat ishin thyer në disa vende, duke lejuar që llava të arrinte në qytet dhe më pas u dogjën shtëpi dhe ndërtesa.

Nuk kishte asnjë indikacion për ndërprerje të fluturimeve të brendshme apo ndërkombëtare pas shpërthimit. Fluturimet nga aeroporti i afërt Keflavik po funksiononin normalisht të hënën në mëngjes. /Telegrafi/