Jugu i Shqipërisë në 1997 ishte rajoni i parë i cili nuk iu bind shtetit të asaj kohe, kur president ishte Sali Berisha dhe ku çdo gjë del jashtë kontrollit.
Pamje e agjencisë Associated Press mundësojnë të njihni anarkinë që kishte pushtuar Sarandën: rrugë të bombarduara, mitraloza, antipredha që kërcisnin në çdo orë të ditës, sheshe plot me njerëz… Askush nuk i kursente municionet. Fëmijët e pranishëm me rebelët demonstronin forcën me armë në duar.
Në 6 mars të vitit 1997, rebelët pushtojnë rrugën kryesore që lidhte Delvinën dhe Sarandën. Qëllimi i tyre ishte të ndalonin hyrjen e autoriteteve zyrtare.
Të armatosur, qytetarët kanë në dorë çdo gjë, kontrollojnë çdo makinë e cila hynte dhe dilte nga qyteti. Armët dhe tanket ndodheshin në çdo rrugë. Ndërsa, lideri i partisë republikane në këtë zonë shprehet se njerëzit do të luftojnë deri në vdekje nëse presidenti dërgon trupat e tij. Dhe, qytetarët janë gati të luftojnë kundër trupave të Sali Berishës.
Në atë kohë Qeveria shqiptare e kishte humbur totalisht kontrollin e saj në qytete si Vlora, Saranda dhe Delvina. Të shtënat në jugun e Shqipërisë ishin shndërruar në normalitet. Të dhënat dëshmonin edhe për bombardime nga ana e Ushtrisë e cila përpiqet të izolojë rebelet. Më shumë se 300 ushtarë u pozicionuan në Gjirokastër, 20 kilometra në veri të Sarandës, ndërsa gazetarët raportonin se katër tanke ndodheshin në qytet si shenjë për të treguar forcën dhe për të shuar protestat.
Por, çdo gjë ishte jashtë kontrollit, e pamundur që vendi t’i rikthehej rutinës. Burra dhe gra të armatosur në Delvinë protestonin në mbrojtje të liderit të Partisë Republikane në zonë, Petrit Hazbiu, dhe shpreheshin se nuk do t’i dorëzoheshin Berishës
“Ne presim çdo gjë nga Berisha. Ai mund të në dërgojë ushtarët e tij, por ne do të luftojmë deri në vdekje. As regjimi fashist nuk ka bërë atë cka Berisha u ka bërë njerëzve të tij”, shprehet Hazbiu.
Njëri nga rebelët i rrëfehet AP-së se ata kanë mbështetjen e plotë të të gjithë qytetarëve.
“A po ju bashkohen të tjerë njerëz”, pyet gazetari.
“Çdo ditë çdo ditë çdo ditë. Të gjithë nga të gjitha qytetet dhe fshatrat. Siç e shihni edhe të vegjlit janë me ne”, shprehet rebeli.
Qytetarët në Sarandë kanë marrë në mbrojtje qytetin, ndërsa qindra të armatosur ndodhen në port dhe kanë pozicionuar tre tanke, ku nuk mungojnë edhe armët e tjera. Të gjithë e kishin kokën në rrezik. Jo vetëm shqiptarët, por dhe të huajt që për arsye të ndryshme ndodheshin në Shqipëri në atë kohë.
Ngjarja më poshtë i përket 14 marsit të 1997, kur burra të armatosur hapin zjarr ndaj një helikopteri gjerman i cili po mundohet të evakuojë civilë në periferi të Tiranës, në Rinas.
Të armatosur e të hipur në dy automjete të mbushura me armë, ata lëvizin me shpejtësi drejt pistës, ndërsa shumë shtetas gjermanë, austriakë dhe suedezë prisnin të largoheshin.
Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara përmes një deklarate i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të siguronte asistencë humanitare si dhe u bëri thirrje të gjitha palëve në Shqipëri që të bashkëpunonin në mënyrë që të uleshin tensionet. /Shqiptarja/