Punëtorëve australianë të bagazheve u është dhënë një paralajmërim i ashpër nga drejtori ekzekutiv i një ofruesi të shërbimeve, pasi pamjet tronditëse të keqpërdorimit u shfaqën në internet.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Qantas dhe Swissport Australia kanë nisur një “hetim urgjent” pasi punonjësit u filmuan duke përplasur bagazhin në një shirit transportues.
Pamjet, që mendohet se janë filmuar në aeroportin e Melburnit, tregojnë tre mbajtës të bagazheve – të cilët janë përjashtuar në pritje të hetimeve – duke hedhur, shkelmuar dhe përplasur bagazhet e pasagjerëve.
Disa madje hidhen aq fort saqë bien nga ana tjetër e shiritit transportues.
Një burrë shfaqet duke qeshur ndërsa një burrë tjetër ngre një çantë mbi kokë, duke e hedhur poshtë drejt rripit me forcë.
Në një rast tjetër, një nga tre mbajtësit shfaqet duke hedhur një çantë në një distancë të konsiderueshme, pavarësisht se shiriti është pikërisht përballë tij.
Një zëdhënës i Qantas tha se incidenti ishte “qartësisht i papranueshëm”, duke konfirmuar se një hetim “urgjent” ishte duke u zhvilluar.
Ndërsa një zëdhënës i Swissport ka bërë të ditur se punëtorët e përfshirë ishin larguar nga puna ndërsa ata hetonin se çfarë ndodhi.
Ndërkohë një shënim nga CEO i Swissport Australia, Brad Moore, i parë nga news.com.au, paralajmëroi stafin për “veprim serioz disiplinor” pas zbulimit të mëngjesit të së shtunës. /Telegrafi/