Telegrafi

Pamje rrëqethëse, barka përplaset me një mjet tjetër lundrues në Turqi – humb jetën turistja britanike

Një shtetase britanike ka humbur jetën, kurse bashkëshorti i saj është lënduar rëndë pas aksidentit që ndodhi në një plazh të qytetit turk Marmaris.

Ana Kapuano, 45-vjeçe, ishte në barkën që u përplas me një tjetër pranë brigjeve të Marmaris në Turqi, transmeton Telegrafi.

Trupi i saj është nxjerr nga uji, e të tjerët janë dërguar me urgjencë në spital për tretman. Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, që është në gjendje kritike në repartin e kujdesit intensiv.

Kapiteni i barkës taksi dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime më të lehta trupore, e gjithçka u filmua me kamerë amatore ku shihen dëme e shkaktuara në barkën ku gjendej çifti britanik.

“Ka qenë një përplasje e tmerrshme dhe shumë njerëz që e panë atë mbetën të shokuar. Disa prej të lënduarve janë në gjendje të tmerrshme, e gruaja e vdekur është larguar nga uji, me sa duket nuk kishte gjasa për të”, tha për The Sun, një grua nga Londra që ishte dëshmitare e tragjedisë.

Deti ka qenë paksa kaotik me aq shumë barka që lëviznin, por këtë askush nuk e ka pritur të ndodhë.

Disa thonë se shoferi nuk ishte i përqendruar dhe në momentin e përplasjes ishte duke i rregulluar flokët, por këto pretendime nuk i ka konfirmuar policia turke. /Telegrafi/