Kanë kaluar mbi 10 ditë që kur ekipet e shpëtimit dhe zhytësit nga e mbarë bota, janë duke u munduar t’i nxjerrin gjallë djemtë e ngecur në një shpellë në Tajlandë.
12 djem dhe trajneri i tyre i futbollit kanë ngecur në një shpellë, kurse zyrtarët e Tajlandës kanë njoftuar se janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se janë duke analizuar mënyrën më të sigurt që t’i nxjerrin jashtë, dhe në opsion është zhytja me pajisje profesionale, transmeton Telegrafi.
Të gjithë kanë filluar të pyesin se për çfarë lloj shpelle bëhet fjalë dhe pse është kaq e vështirë nxjerrja e tyre.
Korridori i shpellës është rreth nëntë kilometra, kurse djemtë kanë ngecur diku në kilometrin e dytë. Brenda është shumë ftohtë, errësirë, kurse moti është duke u bërë më i keq dita ditës.
Siç mund të shihet në diagramin e publikuar më poshtë që e ka realizuar CNN, tregohet në detaje se si kanë hyrë dhe ngecur brenda kësaj shpelle.
Një nga opsionet që po e përmendin ekspertët e shpëtimit është zhytja me pajisje profesionale, por fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk di të notojë e në veçanti në këtë terren të vështirë. /Telegrafi/