Militantët nga grupi islamik në pushtet i Sirisë, Hayat Tahrir al-Sham, thuhet se u angazhuan në një aksion vrasjesh këtë fundjavë, duke “u kënaqur” me rrahjen, torturimin dhe ekzekutimin e civilëve të pafuqishëm në komunitetet alavite përgjatë bregut perëndimor të vendit.
Si pasojë, raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, më shumë se 1,000 njerëz thuhet se janë masakruar ndërsa militantët e HTS-së filmonin veten duke “nënshtruar” civilët e paarmatosur.
Qeveria e HTS në Damask pretendoi se sulmet në bregun perëndimor të Sirisë rreth Latakias u nisën për të mposhtur grupet besnike pro-Asad që kishin sulmuar pikat e kontrollit të sigurisë më 6 mars.
Por, siç thekson Daily Mail, provat – shumica e tyre të siguruara nga vetë militantët e HTS – tani tregojnë se pjesa më e madhe e dhunës u krye kundër civilëve të paarmatosur dhe jorezistent.
Kur HTS mori pushtetin në Siri me një grusht shteti të rrufeshëm që rrëzoi ish-presidentin Bashar al-Assad në dhjetor, udhëheqësi Ahmed al-Sharaa pohoi se pakicat e ndryshme fetare dhe etnike të Sirisë do të ishin të sigurta nga persekutimi dhe dhuna.
HTS, një grup islamik sunit, u formua për herë të parë në vitin 2012 me emrin Jabhat al-Nusra dhe ishte krahu sirian i Shtetit Islamik të Irakut – më pas një degë e Al-Kaedës.
Në vitin 2017, grupi iu nënshtrua një riemërtimi, duke ndërprerë lidhjet me Al-Kaedën dhe duke ndryshuar emrin e tij në HTS pasi udhëheqësi Ahmed al-Sharaa u përpoq të moderonte qëndrimin e tij për të fituar legjitimitet.
Që nga marrja e pushtetit në dhjetor 2024, HTS ka sunduar nga Damasku, duke konsoliduar kontrollin e tyre mbi pjesën më të madhe të Sirisë perëndimore dhe qendrore. /Telegrafi/