Në një rrëfim për KultPlus, regjisori dhe aktori Sevdai Radogoshi shpalos detaje rreth këtij projekti.
Një temë sociale që flet për një biznes jo të pastër. Ky është thelbi i projektit më të ri të regjisorëve Sevdai Radogoshi dhe Afrim Mula, i cili pritet ta shoh dritën së shpejti.
Filmi i zhanrit komedi “Biznesmeni”, që vjen me skenar të Shkumbin Radogoshit, bën fjalë për Gazusin e djalin e tij të cilët më herët kanë pasur një lokacion ku rregullonin veturat e tani kanë një autolarje, ku dënohen për mos pagesë të ujit, rrymës. Në përpjekjen që djali i Gazusit të bëhet më i pasur, ai përfundon në duart e një bande.
Në një rrëfim për KultPlus, regjisori dhe aktori Sevdai Radogoshi shpalosi detaje rreth këtij projekti.
“Tashmë jemi duke e bërë montazhin. Xhirimet kanë shkuar shumë mirë dhe besoj që do të sjellim diçka të mirë para publikut”, tha Radogoshi i cili bëri të ditur për vend xhirimet, datën e premierës, kastën e aktorëve e kështu me radhë.
“Premiera është me datën 13 nëntor, në Gjakovë në Pallatin e Kulturës, ku do të ketë goxha shumë mysafir. Xhirimet i kemi bërë në Gjakovë, në Gjilan tek Vali Ranch dhe në Shëngjin”, pohoi ai.