Katër persona janë lënduar nga shpërthimi i një rezervuari derivatesh në Miradi të Fushë Kosovës.
Telegrafi ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku po shihet flakë dhe tym. Në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe zjarrfikësit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se rreth orës 14:00 ka marrë informatën për një shpërthim të ndodhur në një nga rezervuarët e një deponie të derivateve në fshatin Miradi, komuna e Fushë Kosovës, ku si pasojë katër persona janë lënduar.
“Policia me te gjitha njësitet e nevojshme si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Duke parë rrethanat në vendin e ngjarjes si dhe mundësinë e përhapjes së rrezikut nga zjarri policia ka nisur evakuimin e personelit nga vendngjarja dhe varësisht nga rrjedha mund të bëhet edhe evakuimi i njerëzve nga një perimetër i caktuar që të shmangen pasojat eventuale”, njofton Policia për Telegrafin. /Telegrafi/