Përmbytjet nga shirat e dendur në Afganistan kanë vrarë më shumë se 300 njerëz dhe kanë shkatërruar mbi 1,000 shtëpi, ka njoftuar agjencia e ushqimit të OKB-së.
Bëhet e ditur se përmbytje të shumta kanë goditur Afganistanin gjatë javëve të fundit, kryesisht provincën veriore të Baghlanit.
Zëdhënësi kryesor i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, tha se “një numër i konsiderueshëm i njerëzve kanë pësuar lëndime” nga përmbytjet.
Si provincat më të prekura, identifikohen Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Por, siç raportohet, qeveria ka urdhëruar mobilizimin e të gjitha burimeve në dispozicion për shpëtimin dhe transportimin e njerëzve.
?Breaking: Flash floods ravage #Afghanistan, killing more than 300 people in Baghlan and destroying more than 1000 houses.
This has been one of many floods over the last few weeks, due to unusually heavy rainfall. WFP is now distributing fortified biscuits to the survivors. pic.twitter.com/X4AaBW5TIC
— WFP in Afghanistan (@WFP_Afghanistan) May 11, 2024
Gjithashtu, forcat ajrore kanë filluar evakuimin e njerëzve dhe kanë shpëtuar një numër të madh të tyre që kishin mbetur të bllokuar në zonat e përmbytura.
Richard Bennett, raportues i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut në Afganistan, tha se “përmbytjet janë kujtesë e cenueshmërisë së Afganistanit ndaj krizës klimatike dhe se nevojitet ndihmë e menjëhershme dhe planifikim afatgjatë nga talebanët dhe aktorët ndërkombëtar”.
Ndryshe, Afganistani u godit nga shirat e dendur edhe një muaj më parë ku nga përmbytjet mbetën të vrarë 70 njerëz dhe u dëmtuan rreth 2,000 shtëpi, tre xhami dhe katër shkolla. /Telegrafi/